22 Shkurt, 2024 - 4:00 pm
Ambasada amerikane në Tiranë ka nisur një fushatë ku në javën në vijim do të ndajë me ndjekësit në rrjetet sociale dëshmi të historive nga Ukraina, ndërkohë që bëhen dy vite nga sulmet ruse.
Sot Ambasada ka shpërndarë historinë e një vogëlushi 13-vjeçar ukrainas, i cili kërkon të gjejë nënën e tij, me të cilën u nda nga ushtarët e Putinit.
Sasha tregon se si ushtarët rusë mendua n se nëna e tij ishte ushtare ukrainase dhe i dërguan në kampet e filtrimit, ndërkohë që 13- vjeçari ishte ende i plagosur nga shpërthimi i një predhe në shtëpinë e tij.
“Deri më 24 shkurt 2022 jetoja me nënën dhe motrën time në Mariupol. Menduam të shkonim tek gjyshja por urat ishin hedhur në erë dhe mbetëm aty.
I zhvendosëm gjërat në bodrum dhe qëndruam aty gjatë të gjithë kohës.
Më 24 mars kur nisën sulmet ishin na ambientin që e kishim improvizuar si kuzhinë. Një predhë ra në shtëpinë time dhe motra ime ishte brenda. Ajo u frikësua shumë.
Vrapova në katin e dytë dhe më pas dëgjova shpërthimin.
Diçka po më digjte sytë dhe u frikësova sepse ishte goxha e nxehtë.
Nëna i kërkoi ushtarëve të më dërgonin në spitalin ushtarak që të më hiqnin copëzat. Spitali ishte në Mariupol.
Nëna ime nuk kishte dokumente dhe ushtarët rusë e ngatërruan me ushtare dhe na çuan në institucionin e paraburgimit për procesin e filtrimit.
Ne deklaruam se ishim civilë dhe i kërkuam të na lironin, por erdhën shërbimet e fëmijëve dhe më larguan nga nëna.
Nuk mund të kontaktoja asnjë të afërm”, rrëfen vogëlushi.
Postimi i Ambasadës:
“Unë kam një ëndërr: më ndihmo të gjej nënën time.” Këto janë fjalët e një djali 13-vjeçar ukrainas, i cili u nda nga nëna e tij nga trupat ruse. Ndërsa javën e ardhshme shënojmë vitin e dytë që nga lufta e tmerrshme e Rusisë kundër Ukrainës, ne do të ndajmë histori nga Ukraina për “Realitetet e Pushtuara”. Ndiqni videon teksa Sasha ndan historinë e zhvendosjes së familjes së tij nga Mariupol për shkak të bombardimeve të qytetit dhe civilëve të tij nga Rusia. Ndërsa lufta e agresionit të Kremlinit ka zhvendosur miliona njerëz brenda Ukrainës, Sasha ende shpreson të ribashkohet me nënën e tij dhe të ndihmojë në shpëtimin e njerëzve kur të rritet. / KultPlus.com