29 Shkurt, 2024 - 9:45 pm
Shfaqja “Testamenti” e Leka Bungos rivjen në Teatrin Kombëtar nga e enjtja në të diel në orën 19:00.
Komedia e zezë, që është vepër e shkruar nga Bungo dhe me regjinë e tij, ka në qendër Kuqon, një personazh që jeton në bunker me mendje të bunkerizuar, ende i lidhur me të kaluarën, por kritik edhe ndaj së tashmes.
Kuqo interpretohet nga aktori i njohur Viktor Zhusti, i cili i jep jetë marrëzisë së Kuqo komunistit që jeton mes dy kohëve, duke vënë në dukje të metat e tyre dhe të shoqërisë.
Kuqo bart misionin e rrëfimtarit e dëshmitarit në një komedi të zezë që na zhvesh nga mitet e keqkuptimet përmes teatrit.
Në katër net, publiku do të mund të ritakojë një vepër shqiptare që shpërfaq Shqipërinë nga viti 1921 deri në vitin 2023 duke përfshirë luftën, pasluftën e demokracisë përmes një karakteri të fandaksur, që bën fluturime pindarike, kritikon, ritakon mënyrën si shkruhet historia, rrëzon mitet e sistemit të kaluar komunist dhe mitet e sistemit demokratik./rtsh/KultPlus.com