5 Mars, 2024 - 1:33 pm
Durrësi turistik po prezantohet bashkë me qytete të tjera të vendit në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga prezantimi i qytetit bregdetar në Panairin e Berlinit, ku ekspozohen vlerat e rralla të trashëgimisë së pasur historike kulturore, bregdetin e mrekullueshëm, bukuritë natyrore si edhe projektet e mëdha që po zhvillohen në vendin tonë.
Durrësi vijon të mbetet një nga destinacionet e preferuara për turistët vendas e të huaj, pasi ofron një ofertë të pasur turistike përtej bregdetit. Sitet kulturore dhe historike janë pjesë e panoramës ikonike të qytetit, si Torra Veneciane, apo Mozaiku i Bukuroshes së Durrësit.
Nën sloganin “Albania All Senses”, Shqipëria po prezantohet në Panairin e Berlinit, i cili nisi sot dhe do të vijojë deri më 7 mars në Gjermani.
Për tri ditë radhazi, Shqipëria do të prezantojë më të mirën e ofertës turistike, me një axhendë të larmishme aktivitetesh, që do të kulmojnë me marrjen e “stafetës” si vendi i nderit për ITB BERLIN 2025./ KultPlus.com