6 Mars, 2024 - 9:21 am
Hagji Xhoni do të prezantohet sot me ekspozitën e tij personale të titulluar “Beteja”, ekspozitë kjo që do të hapet në KultPlus Caffe Gallery.
Me këtë ekspozitë, Hagji Xhoni do të shpërfaqë punën e tij ne skulpturë, që simbolikisht, secili punim, në thelb ka tregimin për të rënët. Figurat janë të sendërtuara në frymën e një teatri simbolik, përmes së cilave evokon ide mbi imazhet e hapësirave të thurura me tela gjembor që diktojnë dhunë në zhvillimin e trungut të lules dhe të shpërndarjes së aromës së dashurisë në përmasa ndërnjerëzore.
Në rastin konkret, “figurat e kuajve”, paraprojektohen si tankse, sinonim i armëve të rënda apo formulë e shtigjeve garuese, apo deshifrim i të fortëve.
Ndërsa, përmes figurës së “qiririt” parainskenon kufinjtë e dhembjes dhe të përlotjes, ndërsa, ”thesi me grurë” përkon me provebrin ”Çka mbjellë korrë” – metafor për rreziqet potenciale gjersa të fortët godasin me bomba tokën për të helmuar tokë e ujë ndërsa njeriu do të ngelej me thes në shpinë si hamalli i Muslim Mulliqit duke projektuar shtegëdaljet për vete.
Hagji Gjoni, është skulptor i veçuar tashmë. Simbolikën e luftës e ka të sendërtuar në detaje mikroskopike, rrënjët dhe petalet e lules i integron brenda kurthit të robërisë, i ka të lidhura me zingjirët e tankseve, në interpretime tjera ato duken dhe si tespi, të karakterit biblik – simbolik parasegjithash.
Ceremonia e hapjes së kësaj ekspozite do të bëhet më 6 mars, në ora 19:00. Kjo ekspozitë është mbështetë nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte kurse kuratore e ekspozitës është Ardianë Pajaziti./ KultPlus.com