Kryeministri Kurti pret në takim presidentin e Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons

18 Mars, 2024 - 9:05 pm

Nën koordinimin e Komitetit Paralimpik të Kosovës, presidenti i Komitetit Paralimpik Ndërkombëtar, Andrew Parsons, i shoqëruar nga presidentja e Komitetit Paralimpik të Kosovës, Njomza Emini, është pritur sot në takim nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Pjesë e takimit ishte edhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani.

Gjatë takimit u diskutua rreth zhvillimit të parasportit në Kosovë, punës së madhe të bërë nga Komiteti Paralimpik i Kosovës për pranim në shtëpinë botërore të paralimpizmit, si dhe pjesëmarrjen në garat paralimpike botërore që do të mbahen në Paris në shtator të këtij viti.

Parsons tha që është i impresionuar me punën e bërë, në një kohë kaq të shkurtër nga Komiteti Paralimpik i Kosovës, ndërkaq theksoi që lëvizja ndërkombëtare paralimpike është e lumtur që tani pjesë të tij e ka edhe Kosovën, si anëtarin më të ri.

Gjatë takimit u trajtuan mundësitë për zgjerimin e përfshirjes në aktivitete sportive për personat me nevoja të veçanta në Kosovë dhe krijimin e kushteve sa më të përshtatshme për qasjen e tyre në mekanizma të ndryshme.

U theksua se mbështetja dhe përkushtimi i Qeverisë për Personat me Aftësi të Kufizuara në përgjithësi, përfshirë dhe fushën e sportit, vijon të mbetet e palëkundur./KultPlus.com

Të ngjajshme