21 Mars, 2024 - 7:34 pm
21 marsi ka një domethënie të veçantë në zemrat e shumë njerëzve në të gjithë botën. Është një ditë që ngrihet për të nderuar dhe festuar fuqinë e fjalës, fuqinë që merr jetë nëpërmjet poezisë. Nga momenti kur UNESCO e shpalli këtë ditë si Dita Botërore e Poezisë në vitin 1999, çdo vit ky eveniment ka bërë bashkë njerëz nga kultura, gjuhë dhe tradita të ndryshme për të festuar gjuhën universale të shpirtit – poezinë. Dita e sotme u shënua edhe në Prishtinë, ishte PEN Qendra e Kosovës e cila sot shënoi këtë ditë në ambientin e KultPlus Caffe Gallery.
Në këtë oazë të artit dhe shpirtit, poezia u ngrit në piedestalin e merituar, duke sjellë në qendër të vëmendjes emocionet, mendimet dhe shpirtin e njeriut. PEN Qendra e Kosovës, një entitet që promovon lirinë e shprehjes së mendimit dhe respekton diversitetin e kulturave, nuk mund të mos bashkohej me këtë feste të shenjtë të fjalës. Në një atmosferë të ngrohtë e të mbushur me emocion, anëtarët e PEN Qendrës u mblodhën për të shpërndarë dhe për të dëgjuar zërin e tyre të brendshëm nëpërmjet poezisë.
Ata nuk ishin thjesht shkrimtarë dhe poetë, por ishin udhëheqës të ndritur të një lëvizjeje që vlerëson shpirtin dhe fuqinë e fjalës. Në këtë takim letrar të veçantë, çdo fjalë që u dëgjua ishte si një melodi e bukur që kapte zemrën dhe mendjen. Anëtarët e PEN Qendrës lexuan poezitë e tyre me pasion dhe intensitet, duke shpërndarë shpirtin e tyre kreativ me të pranishmit. Nuk munguan as lotët. Kur i thuren vargje Rozafës së Shkodrës, shpirtit të nënës, dashurisë e bukurisë, emocionet padyshim arrijnë kulmin. Kjo ngjarje kishte një domethënie edhe më të thellë. Në një botë ku liria e shprehjes së mendimit është nën presion, PEN Qendra e Kosovës dha një mesazh të fortë solidariteti me shkrimtarët dhe poetët e persekutuar kudo në botë. Ata u shprehën se fuqia e fjalës është një nga armët më të rëndësishme për të luftuar për lirinë dhe drejtësinë.
Nën moderimin e Dije Demiri – Frangu dhe Sali Bashotës, takimi letrar ka filluar me një fjalë hyrëse nga kryetari i PEN Qendrës, Binak Kelmendi, duke falënderuar të gjithë poetët. Leximin e poezive e ka filluar poeti Ibrahim Berisha, duke lexuar dy nga poezitë e tij, e më pas ka vazhduar Lulzim Tafa me dy poezi, të titulluara “SMS” dhe tjetrën ku tregon për një ëndërr të tij.
Pas tyre, Naime Beqiraj, gjithashtu anëtare e PEN, ka lexuar dy poezi të tjera, që njëra ishte e shkrimtarit Azem Shkreli dhe një poezi tjetër të shkruara nga vetë ajo, duka vazhduar më pas poetja Xhevahire Izmaku e cila u shpreh e emocionuar që po lexon para profesorëve të saj.
Ajo ka lexuar poezinë që është shkruar për një ngjarje që ka ndodhur gjatë luftës në qytetin e Vushtrrisë ku ishin djegur të gjitha shtëpitë, duke treguar se një profesor i saj i ka treguar se ka punuar në të gjitha ato shtëpi që po digjen, për të blerë aq shumë libra, dhe ka vazhduar me një poezi tjetër për dashurinë.
Pas tyre, poetja Dije Demiri Frangu, mes lotësh që nuk e linin të përfundojë vargjet, ka lexuar poezinë për Shkodrën, duke e përshkruar si një grua të gurit e me shtat të lartë. “Pasha Ernestin e pasha Martinin”, shprehet ajo gjatë poezisë, duke thënë se krejt janë të dashuruar me Shkodrën.
Dr.Aziz Mustafa, duke filluar me shaka se mos ka ngatërruar letrën e poezisë, ka lexuar “Kur të kam”, duke vazhduar më pas Nagjije Kastrati me dy poezitë “Evropës” dhe “A të vij veç pak”. Kryetari i PEN Qendrës, Binak Kelmendi, ka emocionuar të gjithë pjesëmarrësit me poezinë e tij, që në fillim u shpreh se është treguar “egoist” me këtë poezi, pasi ia ka kushtuar vëllait të tij. “Ushtar i panjohur” ka filluar poezia e tij, që nën emocione e ka përshkruar si person të gjatë pothuajse dy metra.
Sali Bashota ka lexuar poezinë “Orari i ri i ëndrrave” dhe më pas Dije Frangu ka vazhduar me një tjetër poezi të saj duke u shprehur se janë vargje që duhet të dëgjohen disa herë. Duke vazhduar të na mbajë nën lot, shkrimtari Lulzim Tafa i vuri vulën emocioneve me poezinë e tij, për atë që të gjithë jemi të dobët, për nënën. “Sa shpejt më harroj nana, nana sot e ka ditëlindjen e u bë 4 vjeçe”, fillon poezinë ai, duke treguar se e ka shkruar kur nëna e tij kishte katër vjetorin e vdekjes.
E në fund, u bw e ditur se PEN Qendrws sw Kosovws nga sot i janw shtuar tre emra tw rinj, sikurse: Xhevahire Izmaku, Aziz Mustafa dhe Isa Sulqevci./ KultPlus.com