29 Mars, 2024 - 4:00 pm
Louis Gossett Jr., fitues i çmimit “Oscar” për portretizimin e një rreshteri të vendosur në filmin “An Officer and a Gentleman” dhe i një çmimi “Emmy” për performancën e tij si një skllav i dhembshur në mini-serialin historik “Roots”, ka vdekur ne moshën 87-vjeçare, sipas “The Hollywood Reporter”.
Kushëriri i parë i Gossett, Neal L. Gossett tha se aktori vdiq dje në mbrëmje në Santa Monica, ndërsa shkaku i vdekjes nuk dihet ende.
Në vitin 2010, Gossett njoftoi se ishte diagnostikuar me kancer në prostatë.
Ai ishte aktori i dytë me ngjyrë që fitoi një çmim “Oscar”, pas Sidney Poitier në 1964.
Për rolin e rreshterit, Gossett u trajnua për 30 ditë në Divizionin e Rekrutimit të Trupave Detare, në veri të San Diegos.
Gjatë karrierës së tij 60-vjeçare, Gossett shkëlqeu në një sërë rolesh racore jo stereotipike, duke luajtur shefin e një stafi të spitalit në serialin “The Lazarus Syndrome” të vitit 1979 dhe personazhin e Gideon Oliver, një profesor antropologjie, në një seri filmash misterioz të vitit 1989.
Në vitin 2006, Gossett themeloi fondacionin jofitimprurës Eracism, një “ofensivë e vetëdijshme” për të çrrënjosur të gjitha format e racizmit duke ofruar programe që nxisin diversitetin kulturor, pasurimin historik, arsimin dhe nismat kundër dhunës. /atsh / KultPlus.com