Kryeministri Kurti përkujton masakrën në familjen Bogujevci: Kopshti me diell pret festën e madhe të ditës së lindjes së Norës

29 Mars, 2024 - 5:08 pm

Sot janë mbushur 25 vite nga masakra në familjen Bogujevci, përcjell KultPlus.

Në përkujtim të kësaj masakre, mbrëmë u dha edhe shfaqja ‘Kopshti i hijeve’ ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Në vijim, KultPlus ua sjell postimin e plotë të kryeministrit Kurti:

Kopshti me diell pret festën e madhe të ditës së lindjes së Norës.

Pastaj, kopshtin e mbuluan hijet. Dita u bë 2000 orë. Të shtëna. Tanke. Sirena.

U kthyem pas në 28 marsin e vitit 1999, në kopshtin e familjes Bogujevci. Kënga e vallja e fëmijëve u ndal. I rreshtuan te muri. “Ata janë veҫ fëmijë!” ishin fjalët e fundit të Nënës. “Shkorpionët” e Serbisë hapën zjarr. Qëlluan me plumba.

Pesë nga fëmijët mbijetuan, përkundër 32 plumbave që shpuan trupat e tyre. Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genci.

Shfaqja teatrale “Kopshti i hijeve” nga Sarah Hehir, me regji të Nastazja Domaradzka, mbrëmë na solli rrëfimin e masakrës së familjes Bogujevci në skenën e Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Narracioni ishte teatral, por historia e vërtetë. Personazhet ishin aktorë, por emrat ishin të vërtetë. Disa role i kishim në skenë, e personazhin e vërtetë në audiencë.

Kopshti është ende aty. Skena ishte teatrale, por rrëfimet e përjetimet reale. Ashtu do të mbeten përherë në kujtesën tonë. Siç thanë personazhet, asgjë kurrë nuk mundet me u humb e as me u harru./KultPlus.com

Të ngjajshme