2 Prill, 2024 - 5:30 pm
Shfaqja “Negotiating Peace” e Blerta Neziraj do të luhet në Hamburg të Gjermanisë, në teatrin Kampnagel, si pjesëmarrëse e festivalit ndërkombëtar KRASS Festival.
“Drama, e shkruar nga Jeton Neziraj, merr shkas negociatat e paqes, duke përfshirë marrëveshjen e Dejtonit, marrëveshjet në Irlandën Veriore dhe ato të Lindjes së Mesme, si dhe bisedimet politike — ende pa shumë rezultat — ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, njofton Qendra Multimedia, e cila shkon për herë të dytë në këtë festival.
Rrëfimi dramaturgjik është frymëzuar nga libri i Richard Holbrooke “To End a War” dhe nga “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” i Ismail Kadaresë.
“Shfaqja tenton të ballafaqojë publikun me prapavijat, sfidat, frikat dhe shpresën që e shoqërojnë arritjen e një marrëveshjeje të paqes si dhe diskuton tema të rëndësishme: Kush mund të negociojë paqen? A u takon politikanëve legjitimeti për të bërë një gjë të tillë? A pajtohen vërtet njerëzit e zakonshëm pas nënshkrimit të ‘aktit të paqes’ në emrin e tyre? A mund të ketë falje kolektive, apo falja është akt individual?”, njofton qendra.
Në rolin kryesor luan Shkumbin Istrefi dhe në rolet e tjera Melihate Qena, Ema Andrea dhe aktorë nga Ukraina, Bosnja e Hercegovina, Estonia e Norvegjia.