4 Prill, 2024 - 9:45 pm
Monodrama “Të martën në supermarket”, e regjisorit Kiço Londo, këtë fundjavë do të ngjitet në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës.
“Të martën në Supermarket”, me protagoniste aktoren Laura Nezha, është një monolog i gjatë i protagonistit, duke na shpjeguar rrjedhën e ditëve të së martës në shoqërinë e babait të tij.
Drama e shkruar nga Emmanuel Darley në vitin 2007, është një rrëfim në vetën e parë i një transeksuali që kujdeset për babain e tij çdo të martë. I quajtur më parë Jean-Pierre, personazhi tani është një grua që mban emrin e Marie-Pierre, një identitet i ri të cilin i ati ka vështirësi ta pranojë.
Nëpërmjet reflektimeve të shumta nënçmuese dhe të pakëndshme të babait të saj, Marie-Pierre e gjen veten gjithnjë e më të mbytur. Pika e thyerjes duket se po afrohet. Duke i dhënë fund këtij rituali të famshëm të së martës, Marie-Pierre thotë se nuk do të kthehet përsëri të martën. Dhe ky është edhe fundi i shfaqjes me të vërtetë. Në fund të kësaj skene, rrëfimtarja rrëfen vdekjen e saj në të kaluarën, e cila ndodhi të hënën në mbrëmje, kur ajo ishte duke punuar si prostitutë dhe një klient e goditi me thikë.
Kjo shfaqje tronditëse dhe njëkohësisht brilante do të shoqërohet me muzikë të luajtur në sallë, nga violonçelisti Arven Pjetri./KuktPlus.con