20 Prill, 2024 - 11:42 am
Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit ka publikuar regjistrat e deklarimit të pasurisë.
Në mesin e personave zyrtarë që kanë deklaruar pasurinë janë edhe krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca.
Në të dhënat e Osmanit, vlera e pasurisë së paluajtshme që ka në pronësi të bashkëshortit dhe në pronësi të përbashkët kap shumën e 970 mijë e 760 euro.
Osmani ka deklaruar një banesë me sipërfaqe prej 67 metra katrorë, e blerë në vitin 2011 me kursime dhe kredi, e cila e kap vlerën e 59 mijë e 760 euro, e që po atë vit, në të njëjtën formë – me kursime dhe kredi, ka deklaruar se e ka blerë edhe një garazh kolektive me sipërfaqe prej 14 metrash katrorë në vlerë 6 mijë euro, të dyja këto në pronësi të bashkëshortit.
E para e shtetit ka deklaruar edhe një shtëpi me sipërfaqe prej 150 metra katrorë, për të cilën tha se e kishte ndërtuar në vitin 2004 me kursime dhe kredi, e që vlera e saj është 170 mijë euro, po ashtu në pronësi të bashkëshortit.
Ajo tutje ka bërë të ditur se bashkë me burrin e saj kanë një tokë prej 5.10 ari, e blerë me kursime dhe borxhe në vitin 2016, në vlerë prej 35 mijë euro.
Përveç tokës, pronë të përbashkët me burrin, Osmani ka deklaruar se ka edhe një “banim në varg”, apo vilë me sipërfaqe prej 244 metrash katrorë, e blerë në vitin 2019 me kursime, borxhe dhe para nga shtija e banesës në Prishtinë.
Osmani tha se ka edhe një tjetër “banim në varg” në emër të bashkëshortit, me sipërfaqe prej 218 metrash katrorë, por që ka vlerën më shumë se dyfishi i asaj të parës – 510 mijë euro. Ajo tha se paratë për blerjen e këtij “banimi në varg” i ka marrë nga shitja e shtëpisë në Australi, e cila ishte në pronësi të bashkëshortit, shitjes së shtëpisë së prindërve të bashkëshortit, nga kursime dhe hua familjare.
Ndërsa, në pasuri të luajtshme, Osmani ka deklaruar një veturë të tipit “Mercedes-benz” në vlerë 10 mijë euro, e që edhe kjo është në pronësi të bashkëshortit të saj.
E para e shtetit tutje ka deklaruar se para të gatshme i ka vetëm 1 mijë e 168 euro dhe 266.84 dollarë australian, ndërsa detyrimet tha se i ka 105 mijë euro.
Kurse, të ardhurat vjetore i ka deklaruar se i ka 70 mijë e 335.16 euro, ku pagën nga presidenca e ka deklaruar në shumë prej 33 mijë e 70 euro, ndërsa nga meditjet për udhëtime zyrtare jashtë vendit, në vitin 2024, Osmani tha se i ka marrë 8 mijë e 92 euro.
Osmani tha se bashkëshorti i saj, 17 mijë e 173 euro të hyra vjetore i ka edhe nga paga neto përmes listës së pagave nga Thesari i Kosovës, kurse 12 mijë euro në vit, ajo ka deklaruar se i merr nga të hyrat e qirasë në Australi, të cilat i ka deklaruar në emër të bashkëshortit.