20 Prill, 2024 - 12:14 pm
Pavijoni i Republikës së Kosovës ka marrë Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të Ekspozitës së 60-të Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias, shkruan KultPlus.
Kjo është hera e parë që shteti i Kosovës merr mirënjohje të tillë që nga pjesëmarrja e parë në vitin 2013.
Lajmin e ka bërë të ditur Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku në Facebook, me mbishkrimin “Sërish! Shteti ynë prek majat e suksesit botëror në art”.
Më poshtë gjeni postimin e plotë:
Gratë e Kosovës shkruajnë histori. Sërish! Shteti ynë prek majat e suksesit botëror në art.
Pavijoni i Republikës së Kosovës merr Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror në edicionin e 60-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit në Bienalen e Venecias. Kjo është hera e parë që shteti ynë merr mirënjohje të tillë që nga pjesëmarrja e parë në vitin 2013.
Një arritje e jashtëzakonshme e artistes Doruntina Kastrati, e cila e vendosi Kosovën në mesin e më të mirëve në konkurrencë me mbi 80 shtete nga e gjithë bota.
Instalacioni skulpturor “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” me kuratore Erëmirë Krasniqi dhe komisionere Hana Halilaj, ka rrënjët te përvojat e grave që kanë punuar në një fabrikë llokumesh në Prizren, në vendlindjen e artistes.
Përgëzime për gjithë ekipin, përgëzime për Kosovën./KultPlus.com