27 Prill, 2024 - 4:30 pm
Në Gjakovë sot është zbuluar pllaka “Shtëpia e Durimit” në Shtëpinë Tradicionale të Familjes Qerkezi – Muzeu Historik 1999.
Të pranishëm në shtëpinë e nënës Ferdonije Qerkezi, ishin nënkryetari i komunës, Flamur Fetahaj, drejtori për Mjedis dhe Urbanizëm Arben Bakalli, drejtoresha për Arsim Eranda Kumnova Baçi, Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport Adea Roka Pylla dhe Këshilltari Xhavit Alijaj.
Në fjalën e tij, Nënkryetari Fetahaj, u shpreh se kjo pllakë simbolizon shembullin më konkret të durimit dhe sakrificës së popullit tonë, Nënën Ferdonije.
“Kjo nënë dhe të gjitha familjet e dëshmorëve dhe martirëve, do të kenë gjithmonë mbështetjen tonë si institucion”, tha ndër të tjera ai.
Ky projekt është financuar nga Komuna e Gjakovës.
Ndryshe, Ferdonije Qerkezi, vazhdon të mbaj shprese që fati i të gjithë të pagjeturve të zbardhët.
Ajo deri tash ka varrosur dy nga djemtë e sajë, përderisa trupat e dy të tjerëve dhe bashkëshortit nuk janë identifikuar ende./ KultPlus.com