Shtëpia e Kongresit në Lushnjë, Gonxhja: Do të zbatojmë vendimin e gjykatës

29 Prill, 2024 - 11:24 pm

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se, “për Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë do të ndjekim zbatimin e plotë të vendimit të gjykatës dhe respektimin e së drejtës së pronarit, sa i përket qirasë dhe çdo detyrimi që buron nga ky vendim”.

Duke marrë fjalën në Kuvend, në interes të deputetit të opozitës Saimir Koreshi, për Shtëpinë e Kongresit dhe restaurimin e Kishës së Shën Mërisë, në Lushnjë, Gonxhja theksoi se, “për Shtëpinë e Kongresit në Lushnjë, do të ndiqen të gjitha procedurat e vendimit të gjykatës”.

“Sa i takon Kishës së fjetjes së Shën Mërisë, që është në Bisht Qethëm në Lushnjë, ka dështuar vjet 4 herë procedura, pasi ka qenë procedurë me një vlerë të vogël dhe nuk ka pasur interes. Do të mundohemi me hapjen e buxhetit të këtij viti, për shkak të riorganizimit dhe krijimit të MEKIT të bëjmë një procedurë më të plotë me disa objekte bashkë dhe ta realizojmë”, sqaroi Gonxhja.

“Megjithatë vuri në dukje Gonxhja, është e lejueshme dhe zbatimi i një projekti nga vetë priftërinjtë e kishës me kusht që projekti të kalohet në Këshillin Kombëtar të Trashëgimisë së Mbrojtjes së Kulturës”./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme