Botohet libri shkencor “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë”

30 Prill, 2024 - 11:37 am

Instituti Albanologjik i Prishtinës ka botuar veprën “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediat e Kosovës dhe të Shqipërisë”, të punonjësit shkencor dhe profesorit universitar, prof. ass. dr. Sejdi Gashit.

Sipas dr. Sejdi Gashit, autor i këtij studimi, “zhvillimi i shpejtë i medieve dhe i teknologjive të reja të komunikimit, gjatë viteve të fundit, ka ndikuar fuqishëm në gjuhë. Por, ndryshime në gjuhë kanë sjellë edhe mediet tradicionale, si shtypi i shkruar, radioja dhe veçanërisht televizioni”. Dr. Gashi sqaron se” studimi “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë” synon të analizojë gjuhën e medieve, duke u fokusuar më së shumti te terminologjia, pra vështruar sipas një qasjeje sociolinguistike”.

Ndërkaq, prof. Naim Berisha-punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës, që është njëri nga recensentët e këtij botimi,  shprehet se “libri i ri i autorit, prof. ass. dr. Sejdi Gashit, me titull “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë”, sjell para nesh një kontribut të vyer nga fusha e gjuhësisë, duke trajtuar dhe hedhur dritë mbi shumë çështje aktuale dhe tematika me interes, sidomos në kontekstin e medieve”. 

Sipas prof. Berishës ”ky libër pritet të ketë një ndikim të rëndësishëm në botën tonë akademike, duke na sjell diçka të re që deri më sot nuk del e plotë në studimet tona për këtë fushë”. Edhe recensenti tjetër i këtij botimi, prof. Viktor Bakillari (studiues i gjuhës shqipe, leksikograf dhe përkthyes nga Tirana) e ka vlerësuar lart studimin e dr. Sejdi Gashit, me ç’ rast, mes tjerash ai shprehet: ”sot, në kohën e globalizmit e të trysnisë së shfrenuar të rrafshimit të kulturave dhe të anglishtëzimit të të gjitha gjuhëve e të gëlltitjes së të ashtuquajturave gjuhë të vogla (nënkupto asimilimit të tyre), krahas brezit të dekanëve të gjuhës, kemi edhe një plejadë studiuesish të rinj, të mbrujtur me vetëdije të epërme kombëtare dhe me dije të thella shkencore midis të cilëve është edhe dr. Sejdi Gashi, punonjës shkencor në Degën e Gjuhësisë të Institutit Albanologjik të Prishtinës”. Recensenti Bakillari në lidhje me librin nënvizon faktin se “autori, larg së qeni purist, mban një qëndrim koherent nga nisja deri në përfundim të këtij studimi, duke goditur shpërdorimet që i bëhen gjuhës në medie”.

Ai shton se “për autorin Gashi, gjuha shqipe është përbërësi kryesor i identitetit kombëtar shqiptar. Profesori nga Tirana vlerëson se “ky punim është i domosdoshëm për terminologët, për studentët që mbrojnë tema masteri dhe doktorate në lëmin e terminologjisë, si edhe për mediet e shkruara dhe ato pamore”.

Libri shkencor “Çështje sociolinguistike të terminologjisë në mediet e Kosovës dhe të Shqipërisë”, ka hyrjen dhe përfundimin edhe në gjuhën angleze. Ky është libri i gjashtë shkencor i dr. Sejdi Gashit dhe promovimi i tij do të bëhet më 3 maj në orën 13:00 në sallën e Kuvendit të Komunës së Istogut./epoka/KultPlus.com

Të ngjajshme