Instalacioni madhështor i Petrit Halilajt zbulohet në MET të New York

30 Prill, 2024 - 12:12 pm

I shumëprituri, instalacioni i komisionuar nga Muzeu Metropolitan i Artit për vitin 2024, i artistit kosovar Petrit Halilaj tashmë është i hapur për publikun, deri më 27 tetor 2024. Për instalacionin e tij të parë të rëndësishëm, në ambient të hapur, Halilaj ka transformuar terracën e Iris dhe B. Gerald Cantor të MET me një instalacion të shtrirë që eksploron ndërthurjen e realitetit dhe imagjinatës përmes botës së pasur të vizatimeve të fëmijëve. Skulpturat metalike janë frymëzuar nga shkarravinat dhe vizatimet e gjetura në bankat e shkollës, ku ai vijonte mësimet në Runik, Kosovë, si dhe në shkolla të tjera të rajonit, të cilat tani po pësojnë ndryshime të mëdha kulturore dhe socio-politike.

Instalacioni i komisionuar nga MET Abetare është i njëmbëdhjeti në serinë e krijimeve të komisionuara për ambiente të hapura.

“Me entuziazëm të lartë, Muzeu MET komisionoi dhe zbuloi instalacionin skulptural të Petrit Halilajt në terracën e Iris dhe B. Gerald Cantor, për të krijuar një bashkëbisedim të ndjerë në mes artistit, Muzeut, qiellit të Manhattan, dhe jo vetëm,” tha Max Hollein, Drejtori dhe CEO i Marina Kellen French të MET. “Puna inspiruese dhe shumëdimensionale e Petrit Halilajt, ka rrënjët në historinë dhe vendlindjen e artistit, megjithatë është vizionare dhe ndërkombëtare. Ajo shtjellon fuqishëm kompleksitetin dhe rolin e imagjinatës së fëmijërisë në tregimin e ngjarjeve historike.”

“Shkarravinat e zakonshme të nxënësve në bankat e tyre, në çaste monotonie apo shpërqendrimi, pëmbajnë fantazitë dhe ëndrrat e kokës së tyre,” tha Halilaj. “Fillova ta hulumtoj këtë si praktikë më 2015, dhe ishte e rëndësishme atëherë për mua që ëndrrat e shkollës sime në Kosovë t’i barti në Evropë, nga e cila pjesë e botës, vendi im ishte ende i izoluar. Tani në vitin 2024, shkarravina të panumërta nga bankat shkollore nga gjithë Ballkani po zbulohen në një kontekst dhe kontinent të ri. Puna ime këtu në Muzeun MET, i dedikohet të gjithë fëmijëve, në jetën e të cilëve luftërat në tërë botën lanë vragë të thella. Shpresoj që ëndrrat e tyre do t’na fluturojnë në një të ardhme më të bukur.”

Halilaj është i njohur për instalacione mbresëlenëse që mbartin vullnetin për të ndryshuar rrjedhën e historive personale dhe kolektive, duke krijuar botë artistike komplekse që kërkojnë hapësirë për liri, intimitet dhe identitet.

Komisionuar nga MET, vizatimet e fshehura në bankat e fëmijëve janë shndërruar në skulptura metalike tre-dimensionale, secila duke ruajtur origjinalitetin e tyre. Bashkë, ato sjellin në pah, kujtesën kolektive dhe fuqinë e imagjinatës së nxënësve, jeta e të cilëve u shënua me konflikte traumatizuese dhe ndarje territoriale. Kosova përjetoi një seri luftrash në rajonin e Ballkanit në vitet 1990, gjatë të cilave shumë fëmijëve iu mohua qasja në arsim për motive ideologjike. Abetare merr emrin nga libri që artisti dhe shokët e tij përdornin për të mësuar alfabetin në shkollë, ku çdo shkronjë lidhej me një mësim të ilustruar dhe me tekst.

Puna e Halilajt në MET ndanë ADN-në me korpusin e mëparshëm të punës së tij të vitit 2025 në Kolnischer Kunstverein që fokusohej në hulumtimin e Halilajt vetëm në Kosovë. Në MET, duke e hapur projektin kundrejt eksperiencave përtej kufijve gjeorgrafik, nacional dhe etnik në rajonin e Ballkanit, ai i komplikon kategoritë e kundërta dhe dualitetet që i pozicionojnë vendet kundër njëra-tjetrës, ose ideologjitë kundër njëra-tjetrës, Lindjen kundër Perëndimit që edhe ashtu kurrë nuk mund të përfaqësojnë plotësisht përvojat e një individi. Abetarja në MET, përmes simboleve dhe gjuhës, krijon një rrjetë lidhëse në mes kombeve dhe përvojave, njejtë si Merimanga, skulptura më e madhe në instalacion, që rrjetëzon këto përvoja me qytetin e Nju Jorkut, me Muzeun dhe me botën.

Abetare, referencat kulturore specifike për ideologjitë e ndryshme politike, fetare dhe heronjtë kombëtarë koekzistojnë me simbole më universale dhe afirmative ndaj kulturës pop, historisë së artit dhe sportit. 

Të përhapura rreth Terracës së Iris dhe B. Gerald Cantor në MET, “vizatimet në hapësirë” bashkohen me arkitekturën dhe peisazhin përreth, duke krijuar një skenografi multivokale me një narrativë të hapur. Një shënim i i impulsit të përbashkët për rrëfim personal dhe për të lënë gjurmë, Abetare është një mundësi për zbulim dhe një ftesë për të zgjeruar kapacitetin tonë imagjinar drejt një të ardhmeje transformuese.

Rreth Artistit
Petrit Halilaj është artist kosovar i lindur në vitin 1986, që përjetoi luftën në rajonin e Ballkanit gjatë viteve 1990. Pas një periudhe formuese në Itali, ku studioi artin në Akademine di Brera në Milan, ai u shpërngul në Berlin në vitin 2008, ku ende jeton dhe punon. Projektet e tij përfshijnë një portfolio të lloj-llojshme, skulpturë, vizatim, poezi dhe performancë. Shpesh duke inkorporuar rrëfime historish nga vendlindja e tij dhe duke i manifestuar ato si instalacione të mëdha dhe ambicioze, puna e tij shndërron marrëdhëniet personale, kujtimet dhe përvojat në skulptura. Puna e Halilajt ka fituar njohje ndërkombëtare me ekspozita të rëndësishme të mbajtura në Ocean Space të TBA21-Academy, Venedik (2023); Tate St Ives (2021); Museo Reina Sofia, Madrid (2020); Paul Klee Zentrum, Bernë (2018); Fondazione Merz, Turin (2018), Neë Museum, Neë York (2017); Hangar Bicocca, Milan (2015); Kölnischer Kunstverein, Cologne (2015); Bundeskunsthalle, Bonn (2015). Në vitin 2013, ai përfaqësoi vendin e tij në paviljonin e parë të Kosovës në Bienalen e Venedikut. Në vitin 2022, ai mori pjesë në Manifesta 14 që u mbajt në Prishtinë, Kosovë. Në nëntor 2023, një retrospektivë e punës së tij u hap në Museo Tamayo, Mexico City. Instalacioni i komisionuar në MET i Petrit Halilajt, Abetare është konceptuar nga artisti, në konsultim me Iria Candela, kuratoren e Estrellita B. Brodsky të Met-it për Artin Latin Amerikan në Departamentin e Artit Modern dhe Bashkëkohor. Ekspozita shoqërohet nga një publikim që përfshin një intervistë mes Halilajt dhe Candelas, dhe një shkrim nga David Breslin, Kuratori i Leonard A. Lauder në Departamentin e Artit Modern dhe Bashkëkohor në Met. Publikimi do të jetë në shitje në Dyqanin e Met-it. Katalogu është mundësuar nga Fondacioni i Mary dhe Louis S. Myers. Programet të tjera edukative do të postohen në faqen e internetit të Met-it sapo të jenë gati.

Seria e punëve të komisionuara në Terracën Iris dhe B. Gerald Cantor në MET, ka përfshirë punë nga Imran Qureshi (2013), Dan Graham (2014), Pierre Huyghe (2015), Cornelia Parker (2016), Adrián Villar Rojas (2017), Huma Bhabha (2018), Alicja Këade (2019), Héctor Zamora (2020), Alex Da Corte (2021), dhe Lauren Halsey (2023). ‘Abetare’ e Petrit Halilajt do të prezantohet në uebfaqen e MET, si dhe në Facebook, Instagram dhe Twitter përmes etiketave #CantorRoof dhe #MetPetritHalilaj.

Ekspozita e artistit Petrit Halilaj në MET mbështetet nga Bloomberg Philanthropies. Mbështetje shtesë i është dhënë edhe nga Fondacioni Diane W. dhe James E. Burke, Cynthia Hazen Polsky dhe Leon B. Polsky, dhe Fondacioni Edward John & Patricia Rosenwald./ KultPlus.com

Të ngjajshme