2 Maj, 2024 - 4:24 pm
Rikthehet në TKOB, pas më shumë se 10 vitesh, baleti “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, një vepër shqiptare që i ka rezistuar kohës.
Baleti mban muzikën e të madhit Feim Ibrahimit, libret të Ismail Kadaresë, koreografi të Agron Aliajt, skenografi e kostumografi të Naxhi Bakallit e baletmaestër, Carlos Montalvan dhe Alisa Gjoni.
Kjo vepër përcjell lajtmotivin e jetës së heronjve të legjendave shqiptare: dashurinë dhe sakrificat për atdheun dhe njerëzit e dashur.
Legjenda nis me Gjergj Elez Alinë, i cili ka nëntë vjet që dergjet në shtrat nga plagët e marra dhe përfundon me duelin mes tij dhe Balozit. Ndonëse me nëntë plagë në trup, Gjergji e vret atë. Në kulmin e gëzimit, ai mbyll sytë përgjithmonë nga plaga e dhjetë që ka marrë, në krahët e të motrës e mes kreshnikëve të tij.
Përveç të tjerash, gjatë këtij muaji TKOB do të shfaqë edhe koncert me rastin e 80-vjetorit të çlirimit të vendit, operën “Flauti magjik”, në versionin për fëmijë e familje dhe do të kulmojë me produksionin e ri të “Madama Butterfly” të Puccini-t./atsh/KultPlus.com