2 Maj, 2024 - 11:35 pm
Që do të ketë një muze lidhur me të kaluarën e ish-burgut të Spaçit kjo është e padiskutueshme, por vendndodhja e tij, ishte ajo që hapi debat në dëgjesën e parë për këtë çështje. Propozimi është që Muzeu të ngrihet në Reps të Mirditës dhe jo në Spaç, sugjerim që zgjoi kundërshtime.
Përfaqësuesja e Fondacionit Italian, Gulia Avanza, rendit arsyet e përzgjedhjes së Repsit si vendi i duhur, ndonëse thotë që kjo përzgjedhje nuk është përfundimtare.
“Kemi menduar ta ngremë aty sepse është shumë i aksesueshëm për shkak të infrastrukturës. Një nga vendndodhjet është që të ngrihet në buzë të autostradës, pasi siç e dini rruga në Spaç është e paasfaltuar dhe e vështirë. Arsyeja e dytë, ne duam që Spaçin ta mbajmë ta parekur, sigurisht të përforcojmë godinat, por ta lëmë ashtu siç ka qenë në kohën e diktaturës”, tha ajo.
Plani i menaxhimit të ish-burgut famëkeq të Spaçit, parashikon ndër të tjera rikonstruksionin e godinave i cili është monument kulture i kategorisë së dytë prej 2007ës, e po ashtu edhe një strategji që kjo vendndodhje të thithë sa më shumë turistë, dhe njëkohësisht të jetë një hapësirë për të folur për të kaluarën komuniste. Investimi fillestar deri më tani është parashikuar të jetë rreth 5 mln Euro./tvklan/KultPlus.com