15 Maj, 2024 - 9:29 am
Munro është autore e librit “Virgjëresha shqiptare” frymëzuar prej një tregimi të Edith Durham, të cilin e gjeti fare rastësisht në një bibliotekë. Ajo pat rrëfyer për gazetën “New York Times” se “Nuk kisha dëgjuar ndonjëherë për ndonjë shoqëri tjetër në botë, ku ndryshimet gjinore e vinin femrën në një pozitë të tillë, përcjell KultPlus.
Po ashtu këtë tregim Munro e ka përmendur edhe ndërsa ka folur për procesin e të shkruarit në një intervistë për revistën ‘The Paris Review’. “Disa herë, kur shkruaj, jam e pasigurt dhe ndryshoj vetën e rrëfimit, kaloj nga veta e parë tek e treta, madje e ndryshoj disa herë. Ky është një ndër problemet e mij më të mëdhenj. Shpesh e shkruaj tregimin në vetën e parë por pastaj e ndjej se, për një arsye të pashpjegueshme, kjo nuk funksionon. Në këto raste ndikohem shumë nga çka më thonë të tjerët se ç’duhet të bëj. Për shembull, agjentit tim nuk i pëlqeu përdorimi i vetës së parë në tregimin The Albanian Virgin “Virgjëresha shqiptare” dhe, meqenëse unë nuk isha plotësisht e sigurtë, më bindi ta ndryshoj. Por pastaj e ndryshova përsëri rrëfimin, duke e kthyer në vetën e parë”, ka thënë ajo.
Ky tregim është botuar në gjuhën shqipe në vitin 2005 nga Ideart, si pjesë e një vëllimi me tregime nën përkthimin e Pirro Dollanit, që ka marrë pikërisht titullin e këtij tregimi. Shkrimtarja Alice Munro ka merituar të gjithë trofetë e mundshëm letrarë. Në vitin 2009, kjo autore fitoi edhe çmimin prestigjioz letrar “Man Book Prize”. Ndërsa vetëm dy javë më parë Munro mori çmimin “International Festival of Authors”, çmim që shoqërohet me shumën 10 mijë dollarë. Libri i fundit i saj është “Dear Life”.
Ja 10 fakte për Alice Munro sipas Guardian Books
1 Emri i saj i lindjes është Alice Laidlaw .
2 Ajo u lind më 10 korrik 1931, pranë Wingham, Ontario,që paraqitet shpesh në tregimet e saj (më pas është quajtur Jubilee, ose Hanratty).
3 Babai i saj, Robert Laidlaë, ishte një pasardhës i drejtpërdrejtë i James Hogg, autori i “The Private Memoirs” dhe “Confessions of a Justified Sinner”
4. Ajo ka thënë diku se filloi të arratisej mes librash, pasi nëna e saj mësuese u diagnostikua me një formë të pazakontë të Parkinsonit, kur Alice, më e madhja e tre fëmijëve, ishte 10 vjeç.
5. Ajo fitoi një bursë për gazetari në Universitetin e Western Ontario-s, ku ajo mbahej mes të tjerash, edhe duke shitur gjak.
6. Munro botoi historinë e saj të parë “The Dimensions of a Shadow”, kur qe akoma studente, më 1950.
7. Me burrin e saj të parë, Jim Munro, ajo hapi një librari, “Librat Munro”, e cila është aktive sot në Victoria, British Columbia. E veçanta e tyre ishte se mbanin botime të vjetra, pothuajse ekskluzive, në një kohë kur shumë shitës të tjerë i përçmonin.
8. Burri i saj i dytë, gjeografi Gerry Fremlin, ishte një mik i vjetër nga universiteti. Ata vendosën të martohen pas një ritakimi pasi kishin pirë dhe nga 3 martini.
9. Kur Munro fitoi çmimin Man Booker International në vitin 2009, gjyqtari Jane Smiley e përshkroi punën e saj si “praktikisht të përsosur”.
10. Ajo është kanadezja e parë që iu dha Çmimin Nobel në Letërsi
Virgjëresha shqiptare
Gjinia: Tregim
Autori: Alice Munro
Përktheu: Pirro Dollani
Shtëpia botuese: Ideart, 2005
Faqe: 104/ KultPlus.com