15 Maj, 2024 - 3:19 pm
Presidentja Vjosa Osmani u prit në takim nga Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen: Përgjatë çdo etape të shtetndërtimit, mbështetja e Danimarkës për Kosovën ka qenë e palëkundur
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në takim në Pallatin Christiansborg nga Kryeministrja e Mbretërisë së Danimarkës, Mette Frederiksen.
Në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale midis dy shteteve dhe është rikonfirmuar përkushtimi i ndërsjellë për rritjen e bashkëpunimit ndërshtetëror në të mirën e qytetarëve të të dyja vendeve.
Në takim me Kryeministren Frederiksen, Presidentja Osmani ka falënderuar Mbretërinë e Danimarkës për mbështetjen ndaj Kosovës përgjatë viteve, ndërsa ka diskutuar edhe për rëndësinë që kjo mbështetje të vazhdojë edhe më tej për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, anëtarësimin në NATO, si dhe organizata ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Presidentja Osmani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen unanime të deputetëve danez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, si dhe për gatishmërinë e qeverisë së Danimarkës që ta mbështesë vazhdimisht Kosovën deri në anëtarësim.
Presidentja Osmani dhe Kryeministrja Frederiksen diskutuan edhe për presidencën daneze të Bashkimit Evropian vitin e ardhshëm, ku Presidentja shtroi nevojën që të ndërmerren hapa konkret sa i përket integrimit të Kosovës në BE, duke u bazuar në performancën dhe reformat e realizuara në vendin tonë.
Presidentja Osmani po ashtu shprehu mirënjohjen e thellë për kontributin e mbi 13 mijë ushtarëve danez për paqen dhe sigurinë në Kosovë që nga viti 1999, ndaj bëri nderime tek Monumenti Kombëtar i Kujtesës së Danimarkës, ku Presidentja u prit me nderime ushtarake./ KultPlus.com