15 Maj, 2024 - 4:30 pm
Është çelur për publikun faqja digjitale ‘Prishtina në histori’ për një vështrim të parë. Është fjala për një grumbull digjital të teksteve, hartave, gravurave, fotografive dhe punimeve rreth historisë së qytetit të Prishtinës që kapin kohën prej fundit të shekullit 13 deri në vitete e para të shekullit 20.
Në Arkivin e Prishtinës, pjesë e Komunës së Prishtinës, rishtazi janë sjellë rreth 38,598 dokumente osmane, të cilat dokumentojnë historinë e Prishtinës prej shekullit të 15 deri në shekullin 20. Shumica prej tyre janë krejt të pastudiuara dhe të panjohura për publikun. Në anën tjetër, shumë studime, të cilat janë bërë bazuar në arkivat e Romës, Venedikut dhe Dubrovnikut mbesin në sirtarë të bibliotekave dhe njihen vetëm prej një grupi të vogël specialistësh.
Këto të dhëna, por dhe të tjera që kanë të bëjnë me të kaluarën e Prishtinë, nga arkiva, biblioteka e koleksione janë mbledhur dhe do të vazhdojnë të mblidhen në fazat e tjera të këtij projekti. Në mesin e materialeve të botuara janë edhe rreth 100 dokumente origjinale të përkthyera, si shtesë për tekstet e shkruara enkas, e artikuj të rëndësishëm nga e kaluara që meritojnë të lexohen më gjerësisht. Pjesa më e madhe e tyre janë botuar në këtë fazë fillestare.
“Formati i kësaj platforme, që ka për synim të mbledhë dhe bëjë të çasshme për publikun e gjerë burime dhe njohuri rreth historisë së qytetit (dhe rajonit) të Prishtinës, është pak i pazakontë. Nuk është revistë shkencore online, as nuk është faqe e promovimit të turizmit të qytetit, qysh zakonisht zhvillohen për qytete të ndryshme. Platforma mund të ketë ndonjë ngjashmëri me formatin e muzeve online, që janë zhvilluar dekadat e fundit, por megjithatë nuk mund të konsiderohet e tillë,” thotë në editorialin e platformës redaktori i saj, Yll Rugova.
Platforma është iniciativë e Trembelave me siglën botuese Varg nën mbështetjen e veçantë nga fondet e Komunës së Prishtinës, në partneritet të ngushtë edhe me Arkivin e Prishtinës. Janë këta të fundit që kanë bërë të qasshëm dokumentet nga arkivat osmane që në vitin 2018 janë sjellë në kopje digjitale te ky arkiv.
Vegëza e qerthullit: www.prishtinanehistori.org
Prishtina në Historiwww.prishtinanehistori.org |