16 Maj, 2024 - 9:43 am
Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, në një letër drejtuar presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Theodoros Rousopoulos, ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke përgatitur një draftstatut për Asociacionin të cilin është zotuar ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit.
Në kuadër të procesit të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, pas votës prej 82 % të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës në favor të këtij anëtarësimi, në kuadër të zotimeve të marra nga tre krerët e shtetit, sot në mëngjes i kam dërguar një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës.
Një draft i tillë i shërben në njërën anë synimit të qeverisë për të integruar komunitetet joshumicë dhe zbatimit të ligjeve të Republikës së Kosovës në të gjitha komunat.
Drafti siguron jo vetëm respektimin e plotë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, por në të njëjtën kohë pamundëson ndërhyrjet e palejueshme nga jashtë, si në komunat e Kosovës, ashtu edhe në të gjithë vendin.
Pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t’iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte.
Kosova e pavarur dhe sovrane, si shtet ligjor dhe demokratik, mbetet në kursin e saj të palëkundur drejt anëtarësimit në NATO dhe BE./ KultPlus.com