16 Maj, 2024 - 3:55 pm
Në Ditën Botërore të Agroturizmit, kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale një kolazh pamjesh të mrekullueshme, ku ndërthuret larmishmëria e bukurive natyrore të shndërruara në atraksione turistike, falë sipërmarrjeve agropërpunuese.
Rama shprehu mirënjohje të veçantë për sipërmarrjet agroturistike që kanë hapur dyert anembanë Shqipërisë, duke i dhënë jetë zhvillimit të ekonomisë familjare dhe industrisë turistike.
Sot në vendin tonë, janë mbi 260 qendra agroturistike, ndërsa fluksi i lartë i turistëve të huaj që po zgjedhin vitet e fundit Shqipërinë si destinacion turistik ka nxjerrë në pah nevojën për shtimin e kapaciteteve akomoduese.
“Në Ditën Botërore të Agroturizmit, një mirënjohje e veçantë për sipërmarrjet agroturistike që kanë hapur dyert anembanë Shqipërisë, nga njerëz të punës të mbështetur tek vendlindja apo kthyer nga emigracioni në vendlindje, të cilët kanë bërë një zgjedhje fituese për të ardhmen e tyre, duke rritur ekonominë familjare dhe kontribuar për Shqipërinë 2030 me zhvillimin e kësaj dege krejt të re të industrisë sonë turistike”, u shpreh Rama./atsh/KultPlus.com