17 Maj, 2024 - 6:00 pm
Historia e Shqipërisë ka një panoramë të larmishme mbi rolin e gruas në kontributin e dhënë prej tyre në luftën për liri, identitet dhe të drejta. Përkundër përfoljeve gojëkëqija dhe anatemimit, shpërdorimit të rolit të saj përtej bashkëshortes dhe nënës, ajo ka shkrepëtirë në faqet e historisë si një shpërthim i fuqishëm drite, duke i lartësuar veprat e tyre në kufinjtë e legjendës.
Lista e këtyre grave dhe vajzave që kontribuan dhe sakrifikuan është e gjatë dhe njëra prej tyre është Shaqe Marie Çoba.
Shaqe Marie Çoba është ndoshta e para grua shqiptare që ndoqi universitetin për “Shkenca Politike” . Ajo ishte gruaja e parë intelektuale shqiptare që u përpoq për çështjen e ngritjes së grave të klasës së lartë. Sigurisht që ishte dhe mbeti e para grua shqiptare që udhëpriu lëvizjen feministe shqiptare që në vitin 1918, duke krijuar komitetin “Gruaja Shqiptare”, një grupim grash dhe vajzash të zëshmë në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të grave, me anëtare të përkatësive të ndryshme fetare.
Ky organizëm kishte për qëllim të ndihmonte luftëtarët shqiptarë që po përballeshin me forcat sllave që përpiqeshin të pushtonin Shkodrën.
Po cila është Shaqe Marie Çoba, për të cilën shkruhet në “Fjalori Biografik i Lëvizjeve dhe Feminizmit të Grave në Evropën Qendrore, Lindore dhe Jug-Lindore: Shekujt XIX dhe XX”?
Shaqe Marie Çoba lindi në familjen e shquar Shiroka në Shkodër, Shqipëri. Filloren e mbaron në Shkodër për të vijuar më pas studimet në Zagreb, në një institut austriak, ku mëson gjuhët italiane, gjermane dhe serbokroate. Pastaj në 1904 zhvendoset dhe përfundon studimet në Venecia. Pasi mbaroi arsimin, ajo u martua me intelektualin dhe nacionalistin shqiptar Ndoç Çoba, në familjen e të cilit idetë e saj atdhetare dhe feministe u inkurajuan dhe lulëzuan.
Më 3 gusht të vitit 1920 ajo themeloi komitetin “Gruaja Shqiptare”, me kryetare nderi, Habibe Bekteshin, sekretare, Paulina Lekën dhe llogaritare, Albina Ashikun. Komiteti pati si qëllim fillestar mbledhjen e fondeve në ndihmë të Ushtrisë Shqiptare që po përballej me mësymjet serbe në Koplik.
Në vitin 1920 ajo themeloi Gruaja Shqiptare (“Gruaja Shqiptare”), një organizatë për klasën e sipërme shkodrane të interesuar për çështje të emancipimit të femrës, me qëllim kryesor mbledhjen dhe shpërndarjen e fondeve për llogari të Ushtrisë Kombëtare në luftën e Koplikut të vitit 1920 (kundër Jugosllavisë forcat që bëjnë presion për aneksimin e territoreve shqiptare).
Për të bërë publik punën e Gruaja Shqiptare, organizata gjithashtu drejtoi një revistë me të njëjtin emër, duke informuar lexuesit për dhurimet, si dhe duke botuar artikuj në lidhje me çështjet e grave, duke debatuar për të drejtat dhe detyrat e grave në shoqërinë shqiptare, promovimin e arsimit të vajzave dhe duke inkurajuar njerëzit të heqin dorë nga traditat e vjetra dhe të dëmshme.
Për herë të parë në historinë shqiptare, mendimet e grave për të drejtat e tyre, arsimin dhe kulturën kishin fituar një forum publik; për herë të parë mund të dëgjoheshin mendimet e tyre mbi një vetëdije të re morale dhe një kuptim të ri të gruas moderne shqiptare.
Gjatë Luftëa së Koplikut (1920) ajo aktivizoi mjaft gra e vajza ,që me shirita të bardhë në krahë, me inicialet e kuqe “G.SH”, punonin në frontin e luftës, duke mjekuar plagët e luftëtarëve, duke i tërhequr ato nga fronti dhe i dërguar në spitalet e Shkodrës. Ato shërbenin në këto spitale, u ndanin ndihma financiare e materiale familjeve të luftëtarëve në beteja, si dhe familjeve të varfra. Aktiviteti i këtij komiteti është pasqyruar në një dokumentacion të rregullt i cili ruhet akoma nga familja Çoba.
Nga nëntori e deri në korrik të vitit 1921, doli në shtyp revista “Gruaja Shqiptare”, si mjeti i parë ku gratë mund të shprehnin mendimet mbi të drejtat dhe detyrat e tyre. Në faqet e saj kishte shkrime që trajtonin problemet shqetësuese të gruas shqiptare, duke paraqitur dhe rrugët e daljes nga kjo gjendje.
Problematika e revistës lidhej me rolin e gruas në zhvillimin dhe përparimin e familjes e të shoqërisë në ndërtimin e shtetit. Ajo duhej të luftonte për të zënë vendin që i takonte në familje, për respektimin e të drejtave e lirive të saj, të kujdesej për edukimin e arsimimin e fëmijëve, sidomos vajzave.
“Vetëm kur të arrihet të mbushen mësonjëtoret me vajza ashtu si me djem, vendi ynë do të rradhitej në vendet e qytetëruara”, shkruhej në një shkrim të revistës. Për herë të parë në historinë shqiptare, mendimet e grave për të drejtat e tyre, arsimin dhe kulturën kishin fituar një forum publik; për herë të parë mund të dëgjoheshin mendimet e tyre mbi një vetëdije të re morale dhe një kuptim të ri të gruas moderne shqiptare.
Revista trajtonte edhe probleme të amviseve dhe i bënte apel grave t’i edukonin fëmijët me idealin kombëtar, ndërsa u bënte thirrje që të jenë shembuj virtyti e mirësie para fëmijëve, me moralin e veprat e tyre.
Shaqe Çoba, më 10 nëntor të vitit 1937 bën një riplanifikim të shoqatave të grave në nivel kombëtar me pjesmarrjen e 150 grave, me objektiv luftën kundër zakoneve të vjetra, analfabetizmit, përmirësimin e jetës dhe veshjeve të grave, mbrojtjen e shëndetit të tyre, etj.
Shaqe Marie Çoba vdiq në dhjetor të vitit 1954, në Shkodër. Në nëntor 2002, me rastin e 90 vjetorit të pavarësisë shqiptare, presidenti Alfred Moisiu, i dha asaj pas vdekjes “Urdhrin Naim Frashëri” për pjesëmarrjen e saj në lëvizjen e pavarësisë së viteve 1920 si një luftëtar “kundër ndarja e Shqipërisë dhe për emancipimin e gruas shqiptare ”.
“Ne duhet ta bindim veten se gruaja është […] fryma e shoqërisë njerëzore dhe qendra e familjes.” Shkruhet në “Gruaja Shqiptare, Nr.6”
Roli dhe kontributi i kësaj gruaje është një shembull i jashtëzakonshëm që u parapri dhe u pasua nga dhjetëra e dhjetëra vajza e gra, të cilat mbetën në histori edhe pse kujtesa i rimishëron fare pak me atë frymë mirënjohje dhe respekti që meritojnë. Ata nuk ishin vetëm bashkëshorte dhe nëna, ata qenë gra që luftuan, u përpoqën dhe krijuan veprën e tyre të lavdishme.
Shkodranja, Shaqe Marie Çoba ishte njëra prej tyre, ajo që përfaqësoi gruan në një kohë që femra shqiptare lëngonte nën barrën e pamundësisë për të qenë më shumë se sa e përulur dhe nënshtruar, jetëlindëse po jo ëmëlartësuese. Obskurantizmi i kohës u rrek të eklipsonte gruan përmes mjetesh diskriminuese dhe kodeve zakonore, shpesh të keqpërdorura, por pa mundur ta ndalojë atë të ishte e përfaqësuar dhe e mbrojtur nga një Zhan D’ark shqiptare, siç ishte Shaqe Marie Çoba./albertvataj/ KultPlus.com