Hapet edicioni i tetë i PITF, kryeministri Kurti: Puna juaj artistike e vulosë Kosovën si shtet kontribuues

21 Maj, 2024 - 9:30 am

Është dhënë shfaqja e parë nga Bosnje e Hercegovina me titullin “Muhammad Ali, the one and only”, me regji të Dino Mustafić, duke hapur natën e parë të Prishtina International Theater Festival “Burbuqe Berisha” – PITF 2024, shkruan KultPlus.

Shfaqja e cila fliste për raportin mes babait dhe fëmiut ka impresionuar publikun që nga çastet e para. Aktorët janë duartrokitur nga publiku që ishte në numër të madh, duke përgëzuar dhe uruar ata për energjinëdhe atmosferën që sollën në skenë.

Kjo shfaqje delikate ishte një përzierje emocionesh për të gjithë të pranishmit, pasi ndërthurej me realitetin dhe aktualitetin për çdo familje.

Në hapje të festivalit ishte i pranishëm edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i cili para të pranishmëve tha se Festivali PITF edhe këtë edicion vjen si pjesë e zhvillimit të gjerë të kapaciteteve artistike dhe teatrore në Kosovë.

“Puna juaj artistike, krahas shembujve të rrjetëzimit dhe modeleve të bashkëpunimit, e vulosë Kosovën si shtet kontribuues, e jo vetëm pjesëmarrës. Prania e larmishme në festivalin tuaj tregon që Republika jonë siç ka qenë edhe mbetet, mikpritëse për punët e mira dhe për miqtë tanë që besojnë thellësisht në vlerat sociale e kulturore të artit dhe në kulturën si shprehje të demokracisë e të shoqërisë”, tha Kurti.

Duke folur për artin dhe politikën, ai tha se ato njëmendë janë dy gjëra të ndryshme, që duhet të jenë të pavarura, por nuk mund të jenë të ndara, dhe se këtë na e mëson e vërteton jo vetëm historia e periudhës së antikitetit, ku i gjejmë dyja, por e gjithë historia në secilën periudhë të saj.

Në fund të fjalës, kryeministri u zotua se Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdojë të jetë pranë nismave artistike që e përfaqësojnë fuqinë shpirtërore të Kosovës, si kontribuuese e denjë dhe krijuese në Ballkan, Evropë e më gjerë.

Festival përgjatë kësaj jave do të sjell shfaqje të ndryshme nga shtete të rajonit dhe të gjitha këto shfaqje do të prezantohen në Teatrin “Faruk Begolli” në kuadër të AAB-së, kurse sonte do të shfaqen dy shfaqje mysafire: “The Feral Ëomxn” nga Gjermania me regji të Jemima Rose Dean dhe “Bretkosa” nga Kosova me regji të Burbuqe Berishës./ KultPlus.com

Të ngjajshme