25 Maj, 2024 - 8:00 pm
Jenny Erpenbeck (1967), shkrimtare dhe regjisore teatri. Më 2015 ka fituar Independent Foreign Fiction Prize për romanin ‘Aller Tage Abend’ (The End of the Days – Fundi i ditëve), të botuar më 2012; më 2024 International Booker Prize për romanin ‘Kairos’.
SI SHKRUAJ
Nga Jenny Erpenbeck
Kam mbaruar universitetin. Kam diplomën time, kam një punë afatshkurtër, punoj tri ditë në javë në një furrë buke dhe mbledh ndihma publike. Gatuaj vezë të ziera gjatë dhe bëj simitet sanduiçë, u jap fëmijëve biskota në banak, mbarështoj copat e kekut në enët e pjekjes dhe laj me leckë dyshemenë çdo mbrëmje pasi kohës së mbylljes, dy herë radhazi: herën e parë për t’i nxjerrë thërrimet, herën e dytë vetëm derdhjen e mbeturinave. Kam mbaruar universitetin, po punoj tri ditë në javë në një furrë buke dhe përveç kësaj kam kohë sa të duash.
Kam shkruar gjithmonë. Për ditëlindjen time të katërmbëdhjetë prindërit e mi ma dhuruan një makinë shkrimi të kaltër të ndritshme. Nuk e kam studiuar shkrimin, titulli im s’ka të bëjë me këtë, por është një pjesë e imja, krejt çka më duhet që të mund të shkruaj është vetja ime, makina e shkrimit e kaltër dhe koha.
Mbaj mend historinë e një gjëje që ndodhi kur isha katërmbëdhjetë vjeçe. Është historia e një vajze e cila në të vërtetë nuk është vajzë më. Kjo është historia që po dua ta shkruaj.
Është ora pesë e mëngjesit dhe unë jam duke qëndruar para pasqyrës, duke i lidhur flokët bishtkali për turnin e mëngjesit, kur befas më duket se po ashtu dukem si vajzë, por prapë nuk jam më vajzë. Kështu që mbase mund ta marr jetën time të vërtetë si lëndë, s’ka lëndë më të mirë se jeta e vërtetë.
Është fundi i gushtit, koha që të fillojë shkolla. Jam tridhjetë e shtatë vjeçe, kam mbaruar universitetin dhe me në fund kam kohë ta nxjerr realitetin nga jeta ime. Kësodore bëra ca telefonata, bëra ca vizita dhe brenda tri ditësh gjeta një drejtor që ishte i gatshëm të më lejonte të kaloj në klasën e njëmbëdhjetë me një emër të rrejshëm, me një adresë të rrjeshme dhe me një datë të lindjes të rrejshme, në mënyrë që të mund të mbledh material për librin tim.
Më 1 shtator dal para klasës si “vajza e re” – dhe në të vërtetë bëri punë. Askush nuk ma var, askush nuk qesh me mua. Në një çast të vetëm jam bërë dhjetë vjet më e re dhe ulem aty ku më thotë mësuesja të ulem. Për tri javët e ardhshme harroj se më duhet të vozis, e harroj të dashurin tim, e harroj universitetin dhe punën time në furrën e bukës. Në vend të asaj, mësoj si duket dorëshkrimi i një shtatëmdhjetëvjeçari, mësoj të them emrin tim të rremë, mësoj se mund të jem budallaçkë sa të dua, përderisa notat e mia s’do të kenë pasoja të vërteta. E paketoj çantën time para se të shkoj të fle, mbaj dosje të kaltra dhe të kuqe që dalëngadalë po u përthyhen skajet, më duhet ta ngre dorën kur më duhet të flas në klasë dhe në sallën e gjimnatikës jam në siklet nga trupi im i rritur. Saherë që dikush më pyet çka dua të bëhem kur të rritem, i them: ende s’e di. Kur kemi teste, e ndih vashën bri meje, por unë marr një F për veten time dhe s’më prish punë fare. Jam e lirë si engjëll, ngase në fund të këtyre tri javëve, kur fletroja ime është përplot me realitet, thjesht mund ta braktis shkollën përsëri.
Pas kësaj, punoj në furrën e bukës prapë, tri ditë në javë, përgatis vezë të ziera fort dhe bëj simitet sanduiçë, u jap fëmijëve biskota në banak, mbarështoj copat e kekut në enët e pjekjes dhe laj me leckë dyshemenë çdo mbrëmje pasi kohës së mbylljes. Në kohën time të lirë, punoj në një histori mbi një grua që nuk dëshiron të rritet.
Nëntor 2006
/Marrë nga Jenny Erpenbeck, “Not a Novel: A Memoir in Pieces”, A New Direction, 2020/Përkthimi Gazeta Express/ KultPlus.com