Fragment i romanit “Shitësi”

28 Maj, 2024 - 3:30 pm

Andrin Aliu

Ecëm krah për krah drejt rrugës “Rrustem Statovci”, që të conte në  hyrje të  Parkut të Qytetit, më pas u futëm në ca rrugica me ndricim të mekur, ku po kalonim vetëm ne, me hapa të  ngadaltë  dhe të vegjël. Dikur zonja Fazile filloi të  më fliste për ndryshimin e vazhdueshëm që  kishte pësuar kjo zonë ndër vite, vecanërisht kohëve të  fundit me ndërtimet e pallateve shumëkatësh.

 -Një ditë do të na zihet fryma të gjithëve, – tha ajo, e mllefosur, teksa po vështronte një pallat të  ndërtuar pothuaj në  rrugë. Më keq se kaq s’mund të  jetë.

 -Përse e thoni këtë?

 -Ti je me fat që  nuk e ke parë  qytetin në periudhën e tij të artë, sepse po ta shihje atëherë  sesi dukej ky qytet, sot do të shkalloje njësoj si unë, për arsye të  degradimit arkitekturor në përmasa të paimagjinueshme që ka ndodhur këtu.

 -A mund të ketë një zgjidhje ky problem?

 -Dëmi i madh vecse është  bërë. Qyteti e ka humbur identitetin e tij të dikurshëm. Nuk mund të  flitet për zgjidhje të  problemit, kur degradimi po lejohet nga ata që e kanë  për detyrë  ta ndalojnë këtë dukuri. Në një katrahurë të tillë, përfituese janë grupet mafioze të lidhura me njerëz të fuqishëm të politikës.

 -Situata qenka tejet e pashpresë .

 -Sikur të kishim të  bëjmë  vetëm me degradim arkitekturor, – psherëtiu ajo, – mbase do të  gjenim ndonjëherë  një zgjidhje, por problemi është  më i thellë sesa dallohet në pamje të  jashtme.

 -Cili është ai problem?

 -Është  problemi shoqëror, Zgjim. Ne si shoqëri nuk reagojmë  në mënyrë  të duhur ndaj dukurive që po e shkatërrojnë  jetën tonë të përditshme, dhe duke reaguar kështu, sa për sy e faqe, e keqja, jo që  s’po fashitet, por po zmadhohet edhe më  tej. Nuk mbrohet qyteti përmes shkrimeve në rrjete sociale. Nevojitet organizim i mirëfilltë  qytetar, një  masë e madhe e njerëzve që do të mblidhet për të  kundërshtuar abuzimin me hapësirat publike.

 -Ku të gjendet kjo masë e njerëzve? – e pyeta me njëfarë mosbesimi.

 -Është në mesin tonë , – u përgjigj me siguri të plotë .

 -Krejt cfarë  duhet është  reagimi fizik i saj. Këta njerëz duhet të organizohen. Të jesh i bindur se organizimi qytetar ngadhënjen mbi cdo grup mafioz.

 Befas, zonja Fazile ndaloi në trotuar dhe shikoi orën e vënë  në kycin e dorës së majtë .

 -Qenka ende herët, – tha ajo. – Kam një ide.

 -Po ju dëgjoj.

 -Këtu afër është një kafene. Si thua të shkojmë?

 U pajtova me idenë e saj dhe vazhduam të ecnim./ KultPlus.com

Të ngjajshme