31 Maj, 2024 - 9:45 pm
Sali Bashota
Skënder Rusi është njëri ndër poetët më të njohur të poezisë së sotme shqipe. Ka botuar 25 vëllime poetike, 1 dramë dhe 1 komedi. Është përfshirë në shumë antologji kombëtare dhe ndërkombëtare. Është shpërblyer dhe nderuar me mirënjohje dhe çmime të larta për krijimtarinë e tij letrare. Për 14 vjet ka qenë kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Bota e re” në Korçë. Pastaj, drejtor i Pallatit të Kulturës, drejtor i Bibliotekës Publike “Thimi Mitko” (1997-2017). Është ideator i Festivalit Ndërkombëtar të Autorëve “Netët Korçare të poezisë”.
Duke e vlerësuar poezinë e Skënder Rusit, poeti Dritëro Agolli, ndër të tjera thotë: “Rima e poezisë së Skënderit është e veçantë, atij nuk ia ndien rimën, ai bën muzikë, poezia e tij këndon. Ndaj unë e veçoj Skënder Rusin që jeton në Korçë. Poezia e tij shquhet për një lirizëm të hollë në marrëdhëniet njerëzore dhe në aleancë me natyrën. Unë do të thosha se Skënder Rusi është ndër lirikët më të mirë në komunitetin e poetëve tanë bashkëkohorë”.
***
Me Skënder Rusin, Poetin e Dashurisë, herën e fundit u takova më 26 maj 2024, në mbrëmjen finale të Festivalit Ndërkombëtar të Autorëve “Netët Korçare të Poezisë”. Atë mbrëmje erdhi ndër të parët në MIK Hotel, bashkë me zonjën e tij dhe me mbesën e vogël. U ul në fund të karrigeve, të cilat ishin të renditura për pjesëmarrësit. Pastaj, erdhën poetët, këngëtarët, lexuesit…Të gjithë e përshëndesnin lirikun e dhimbjes së bukur, siç e quante i biri i tij, Eris Rusi. Ndërsa drejtoresha e Bibliotekës Publike “Thimi Mitko”, Jorida Tolkuçi dhe kryetarja e PEN Qendrës së Shqipërisë, Entela Kasi merreshin me organizimin e aktivitetit. Çdo gjë ishte gati për të filluar një mbrëmje e bukur poetike në shumë gjuhë, por që i bashkonte gjuha e poezisë.
Skënderi ishte shumë i gëzuar për organizimin e edicionit të 28 -të të “Netëve Korçare të Poezisë”, të cilin e kishte themeluar. Mbesa e tij e vogël shkrepi disa foto, para se t’i ndërronim numrat e telefonave celularë, ndërsa zonja e tij më tha se do të vinin së shpejti në Prishtinë dhe se Skënderi kishte dëshirë ta botonte një dramë që e kishte në dorëshkrim. I premtova se do të interesohem për botimin e dorëshkrimit. Buzëqeshi, siç buzëqeshin poetët e vërtetë. Skënderi e donte Kosovën dhe i çmonte shumë poetët e Kosovës.
Në tavolinë i kishte katër ekzemplarë të librit të tij të zgjedhur me poezi me titullin “Dalëngadalë unë po bëhem ikje”. I premtova për botimin e një cikli të poezive të zgjedhura në numrin më të ri të revistës letrare “PEN Kosova”. E priti me shumë dashamirësi propozimin tim.
Me rrëmbim e kapi stilolapsin dhe ma nënshkroi librin. Më shikonte drejt në sy, pastaj ndalej. Merrte frymë thellë. Sikur i përfytyrohej një çast tjetër për të bashkëbiseduar. Më pyeti me një zë të shterur se më kë isha ulur në tavolinë. I tregova. I mori një nga një librat dhe filloi t’i nënshkruante për Ibrahim Berishën, Binak Kelmendin dhe Sadik Bejkon.
U përqafuam. Pastaj erdhi shkrimtari Besnik Mustafaj dhe ul në tavolinë me të.
Filloi mbrëmja finale e festivalit. Secili prisnim radhën për të lexuar. Nuk binte më shi si në natën e parë të festivalit. Një fllad i lehtë i mbrëmjes valëvitej nga skaj në skajin tjetër, në ambientin ku ishin mbledhur poetë nga vende të ndryshme të botës.
Por, pas pesë ditësh Poeti i Dashurisë iku në amshim për të mbetur përjetësisht njëri ndër lirikët më të veçantë në letrat shqipe.
Lamtumirë Poeti i Dashurisë, Skënder Rusi!
Skënder Rusi
JAM DHE S’JAM
Jam bir i yjeve që s’vdesin,
Planet, që trajektore s’njeh!
Unë qesh dhe zgjoj gjithë Universin,
Nga gjumi, diellin, unë e ngre!
Në Mars, me të unë pi konjak,
Kafen e pi në Jupiter!
Te Kashta e Kumtrit çlodhem pak,
Me dorë arushat përkëdhel!
Jam bir i yjeve, ju them!
Në tokë kam zbritur përkohësisht!
Kush më kërkon, zor se më gjen!
Se jam dhe s’jam njëkohësisht!
(Marrë nga libri “Dalëngadalë unë po bëhem hije”, Schnell, Tiranë, 2023)/ KultPlus.com