Shkrimtarët për fëmijë takim në QKLL, sfidat e kësaj letërsie

4 Qershor, 2024 - 10:40 pm

U mbajt sot në mjediset e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit një diskutim i frytshëm mbi letërsinë për fëmijë.

Ky takim që bëri bashkë shkrimtarë të letërsisë për fëmijë erdhi pas hapjes së thirrjes (më 1 qershor) së Fondit të Krijimtarisë Letrare për Fëmijë për vitin 2024, një fond i përvitshëm që mbështetet nga QKLL.

Pjesë e tryezës së diskutimit ishin fitues të këtij fondi ndër vite si: Xhahid Bushati, Rovena Rozhani, Teuta Dhimarko Kasoruho, si dhe shkrimtarë të afirmuar të letërsisë për fëmijë si Adelina Mamaqi, Lefteri Lloshe, Natasha Poroçani, Anila Mullaj etj, të cilët ndanë me të pranishmit sfidat e kësaj letërsie si një letërsi e domosdoshme në rritjen dhe edukimin e brezave që vijnë.

Ata ngritën shqetësimin që kjo letërsi të mos ngelet e izoluar por të mbështetet vit pas viti, pasi mbi të gjitha këto krijime për fëmijë kanë edhe vlera pedagogjike.

Sipas tyre, kjo letërsi nga njëra anë zhvillon aftësitë njohëse të fëmijës, u zgjeron horizontin mendor, në anën tjetër, zhvillon imagjinatën pasi, krijime të tilla i përshtaten mirë të menduarit konkret dhe ende të pazhvilluar të fëmijëve.

Prej 3 vitesh, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit e mbështet këtë letërsi përmes një fondi të dedikuar.
Nëpërmjet këtij fondi, QKLL-ja synon të promovojë letërsinë për fëmijë, pasi krijuesit për fëmijë janë ata që rrisin dashurinë te fëmijët për librin, që ngacmojnë te fëmijët fantazinë për t’u bërë shkrimtar, hapin dyert e botës fëmijërore, ku mbruhet motivi për të shkruar, për të krijuar dhe për të dashur gjuhën.

Fitues të këtij fondi ndër vite:
Romani “Udhëtim drejt planetit Arbër” me autor Luan Ramën.
Libri didaktiko-letrar “Grama Tik-Tok” me autore Rudina Çupin.
Përralla “Fani në kërkim të dritës” me autore Rovena Rrozhani.
Libri “O trumcak bredharak!”, Xhahid Bushati
Libri “Arushi Oja”, Eleni Birçaj
Sevi Agolli me librin «Hajdutja e buzëqeshjeve»,
Fatmir Gjestila me librin «Lotët e Marit»,
Zimo Krutaj me librin «Jona dhe deti».
Teuta Dhimarko Kasoruho me librin “Aventura e Bebit”
Rovena Rrozhani me librin “Arinjtë duan të fluturojnë”
Xhahid Bushati me librin “Alfabeti i Bletës”./ balkanweb/ KultPlus.com

Të ngjajshme