5 Qershor, 2024 - 3:05 pm
Artisti dhe pedagogu i Fakultetit të Arteve të Bukura, Ilir Butka, hapi ekspozitën e tij vetjake të titulluar “Dikotomi”.
Ekspozita me kurator Petraq Papën, u çel më 3 qershor dhe do të vazhdojë të presë publikun artdashës deri më 8 qershor, në Galerinë FAB.
Vetë artisti e konsideroi këtë si një moment të rëndësishëm, pasi është një përmbledhje e punës intensive të këtyre 4 viteve të fundit, që ai e ndan me kolegët artistë, pedagogët, studentët e Universitetit të Arteve dhe dashamirët e artit.
Kjo është ekspozita e parë vetjake e Ilir Butkës i cili më herët ka marrë pjesë në mjaft ekspozita kolektive brenda dhe jashtë vendit.
“I jam rikthyer impenjimit aktiv me pikturën pas një shkëputjeje shumëvjeçare dhe në këtë rikthim unë propozoj një këndvështrim komplet të ri për mua, totalisht i bazuar mbi abstrakten. I isha larguar pasionit dhe profesionit të hershëm pikturës me mendimin se një ditë do të kthehesha, me sigurinë që piktura do të ishte gjithmonë aty duke më pritur me besnikëri dhe tolerancë për ‘’tradhëtinë’’ e pësuar”, është shprehur Ilir Butka.
Artisti thotë se nuk ka narracion në pikturën e tij, por edhe pse mungon figurativja në to, ato gjithsesi mund të konsiderohen si klasike, duke iu referuar teknikës së përdorur në disa prej tyre.
Siç e thotë edhe titulli që mban, ekspozita sjell simbolikisht dualizmin që rrethon piktorin si individ, por edhe vetë pikturën e tij.
“Angazhimi im profesional ka marrë formën e një dikotomie të vërtetë pasi është ndarë prej vitesh tashmë midis filmit, pikturës, fotografisë dhe mësimdhënies. Edhe forma e ekspozimit të pikturave është e tillë, ku dy ose më shumë telajo apo piktura do të jenë të ekspozuara në një kornizë të përbashkët si një punë e vetme e përbërë nga dy ose më shumë krijime të ndryshme, që shpesh kontrastojnë ose kompensojnë njëra- tjetrën”, shpjegon Butka./atsh/KultPlus.com