7 Qershor, 2024 - 11:43 am
Shkodra Art House organizoi mbrëmë ceremoninë hapëse të “Ekranit të Artit”, në Kinema Republika ku i pranishëm edhe ministri i Ekonomisë, Kulturës e Inovacionit, Blendi Gonxhja, i cili e vlerësoi si një përvojë të paharrueshme.
“Me Benetin, Pacin, Ivën, Luçjanin e kolegë të tjerë, tek “Ekrani i Artit” në Shkodrën ku arti ta merr zemrën”, shkroi ministri Gonxhja në rrjetet sociale dhe më tej shtoi se është krenar për mbështetjen e këtij rrethi artistik e krijues nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit.
Të pranishmit patën mundësinë të shijojnë dy filma të veçantë: “Those Sweet Murky Waters” dhe “Acqua, porta via tutto”.
Më pas, në ish-Konsullatën Italiane, një program special videosh dhe një performancë muzikore elektrizuese e bënë natën edhe më magjike.
Ky festival i organizuar nga “Art House”, që nga viti 2017, ka sjellë më shumë se 200 shfaqje filmash ndërkombëtarë dhe kombëtarë, duke u bërë një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Shqipëri.
Falë bashkëpunimeve me institucione të ndryshme kulturore ndërkombëtare, “Ekrani i Artit” ka krijuar një platformë unike për artistët dhe shikuesit, duke prezantuar filma të ndryshëm për publikun shqiptar dhe duke zgjeruar komunitetin e talenteve që ballafaqojnë qasje e qendrime kritike, eksperienca e vepra, në një varg aktivitetesh, ku sivjet e ftuar speciale ishte edhe Iva Lulashi, nga Shkodra, që përfaqëson Shqipërinë në La Biennale di Venezia./atsh/KultPlus.com