8 Qershor, 2024 - 11:00 am
Zhvillimi i turizmit malor është kthyer në një prioritet për qeverinë, e cila ka ndërtuar një program që synon mbështetjen e rrjetit të bujtinave nëpër male.
Pikërisht kësaj teme i kushtohej edhe episodi 20, i sezonit 3, të Podkastit “Flasim”, “Zonjat “nga dy maja”, ku të ftuar të Kryeministrit Edi Rama ishin Fatmira dhe Arjola, të cilat kanë hapur bujtina respektivisht në Gur të Bardhë të Matit dhe në Nivicë, në malësinë e Labërisë.
Kryeministri theksoi se këto janë dy histori që deri para disa vitesh do të dukeshin të paimagjinueshme dhe sot janë dy histori suksesi aty ku nuk kishte shans që të artikuloje fjalën sukses.
Rama bëri të ditur se qeveria po finalizon një program për mbështetjen e rrjetit të bujtinave në male.
“Ne kemi një program që do ta quajmë ‘Paketa e maleve’, apo ”Fjetorja e maleve’, nuk e dimë akoma por do të bëjmë një mbështetje të rëndësishme. Jemi duke shkuar drejt finalizimit dhe do të bëjmë mbështetje për rrjetin e bujtinave nëpër male. Jemi duke folur dhe po e mbarojmë me bankat. Në mënyrë që bankat të na mundësojnë kredi ku barrën kryesore ta ketë shteti”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se do të lehtësohet edhe çështja e dokumentacionit të tokave, pasi sipas tij, “në shumë zona nuk është bërë ndarja me ligjin 7501”.
“Për sa i përket Shqipërisë në këtë fazë që ka hyrë, kush kthehet nga emigrimi dhe bën këtë që keni bërë ju i del shumë më mirë llogaria me letra në dorë. Ju e dini mirë që pagat në pamje të parë në emigrim janë më të mira, por kur bën llogari çfarë të vjen prapa pagës, taksat, qiraja, transporti etj, në fund është tjetër gjë, ndërkohë që këtu ke mundësi të punosh për vete dhe bujtinën tënde në këto vende të mrekullueshme”, tha Rama.
Ndërkohë kryeministri theksoi se pagat e specialistëve në shumë fabrika këtu variojnë nga 1 mijë euro deri në 2500 euro, ndërkohë që taksat këtu janë më të ulëta. /atsh/KultPlus.com