Promovohet kompleti i veprave i autorit Sali Bashota, përfshihet krijimtaria e tij dyzetvjeçare

9 Qershor, 2024 - 10:31 am

Me moton “Përgjigjja është libri”, është hapur tashmë edicioni i 24-t i Panairit të Librit, i organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës dhe në kuadër të aktiviteteve të ndryshme, dje është zhvilluar një promovim i veçantë i kompletit të veprave të autorit të njohur Sali Bashota, vepra këto të botuara muaj më parë nga shtëpia botuese Logos-A, shkruan KultPlus.

Botimi i kolanës së veprave të zgjedhura të Sali Bashotës në gjashtë vëllime përfshin krijimtarinë e tij përbrenda periudhës dyzetvjeçare, në fushën e poezisë, prozës poetike dhe kritikës letrare.

Duke filluar nga ora 13:00, ngjarja u mbajt në Pallatin e Rinisë, me ç’rast u moderua nga gazetarja Alketa Gashi Fazliu.

Për krijimtarinë letrare të Bashotës në panel kanë folur shkrimtarët dhe profesorët universitarë: Milazim Krasniqi, Ibrahim Berisha dhe Osman Gashi.

Fillimisht, profesori Milazim Krasniqi tha se poeti Sali Bashota mbetet një nga zërat më kumbues të poezisë shqipe.

“Botimi i veprës së zgjedhur nga vetë autori vetvetiu paraqet një ngjarje letrare e kulturore në kuadër të një ambienti konkret letrar, shkencor e kulturor. Bashota, si poet e ka ruajtur kontinuitetin e krijimtarisë së vetë artisitke, duke e përsosë dhe duke e legjitimuar fort stilin e vet. Sot, është njëri nga zërat më kumbues të poezisë shqipe në nivelin e saj kombëtar”, thotë ai.

Sipas tij, Bashota e ka ruajtur edhe një lidhje diskrete me letërsinë shqipe të traditës e sidomos me rrjedhat e poezisë moderne botërore. Pra, poezia e tij mbetet një poezi që aspiron harmoninë dhe sintesën e elementeve që në dukje të jashtme duken si të kundërta, siç janë në fakt tradita dhe moderniteti.

“Brenda opusit krijues të tij, lexuesi do të mund të komunikojë sado që nganjëherë me një gjuhë jo shumë dekoduese,  gjendjet emocionale, njohjen e aspekteve të ndryshme të jetës personale e sociale, idealet dhe ëndrrat, zhgënjimet dhe pësimet, bukurinë dhe shëmtinë e dukurive dhe të realitetit. Falë përvojës së gjatë si poet dhe si studiues i pasionuar i letërsisë, Bashota është autor që i njeh këto vibracione intonative-ritmike, ideologjike, stilistike e sociale, prandaj edhe arrinë t’i definojë gjuhësisht në pajtim me realitetin”, përfundon ai.

Tutje, shkrimtari Ibrahim Berisha ka folur rreth kuptimeve të ndryshme që ka në thelb krijimtaria e Sali Bashotës.

“Toka dhe uji kanë kuptim të veçantë për ekzistencën në qenien e poetit. Është ajo që nuk përfundon asnjëherë së qeni Nana e Madhe, që mbush begati dhe farë, ku qeniet kanë të drejtën e plotë për të jetuar në ciklet reale dhe simbolike. Pa këto nuk ka jetë as materiale as jomateriale. Te poeti Bashota, është toka, pjesë e dashurisë që lartësohet deri në qiellit (mitologji antike) një lloj Kopshti i Edenit (mitologiia çifute)”, thotë Berisha.

Sipas tij, shkrimi i Bashotës ka edhe permasën e enigmës. Pra, ai është nga poetët e veçantë që ndjen plotësisht arsyen e krijimit të mesazheve për botën që e kishte njohur dhe me të cilin kishte ndërtuar një marrëdhënie të papërfunduar. Dhe se poetët nuk përfundojnë asnjëherë vizatimin e kufirit të botës që ndan të kaluarën nga e tashmja dhe të tashmen nga e ardhmja. “Shpirti dhe shpirtrat janë sa të munguar, po kaq edhe të pranishëm, një papërcaktim ky i pagjetur ndërmjet fajësisë dhe pafajësisë, dhe që mund të preket lehtë në një degë të ëndrrës që tashmë kahere ia ka plasë vajit të papajtueshëm.”

Drita, në anën tjetër është konsideruar si një nga konceptet e rëndësishme, shumë të rëndësishme të poezisë së Bashotës. Kështu ka qenë edhe në vjershat në librat e mëparshëm të tij.

“Drita është përmbajtja e kosmologjisë së tij lirike që duket se ndjek si frymë nëpër vargje, por e vërteta, poeti e mban me vete, nuk i ndahet vetë, dhe ajo vetëm sa i jep flatër në ethet e krijimit. Kjo i përgjason hijes së bukurisë. Poeti Bashota edhe kur udhëton në rrugët e heshtjes, do të na shkund nga termekja se megjithatë dikush e meriton të jetë i lumtur në këtë botë. Është çasti kur fiken dritat dhe dashuria shkon pa e kuptuar se nuk është më. Atëherë pason: Dhimbja”, ka thënë Berisha.

Sipas tij, vepra e Bashotës nga SHB Logos, në këtë botim reprezentues, është dëshmi e një e një shenjë shkëlqyese unike në letërsinë moderne shqipe, një enigmë, që do të krijojë arsye për zbërthime dhe kënaqësi të reja leximi, mendimi dhe përjetimi, si dhe një udhëtim që do të motivojë pafundësisht.

Profesori Osman Gashi, pas analizave të teksteve kritike të Bashotës, ka gjetur përgjigje në pyetjet dhe konstatimet nismatore të këtij shkrimi. 

“Duke analizuar tekstet kritike të Sali Bashotës, do të gjejmë shumë përgjigje në pyetjet dhe konstatimet nismatore të këtij shkrimi. Nuk na duket assesi pretencioz fakti nëse kemi pranuar se mund të bëjmë fjalë për një profil të veçantë kritik të Bashotës. Duke u nisur nga vera e tij e parë me kritika e recensione, dallojmë qartë një trajektore ngjitëse, një evoluim të natyrshëm, një gjithanshmëri analizash e vëzhgimesh dhe një bagazh të pasur përdorimi të shprehjeve e të nocioneve teorike-letrare. Vështruar në përgjithësi, përkushtimi i tij themelor është letërsia shqipe e traditës”, thotë ai.

Një nga autorët për veprën e të cilit ka shkruar Bashota është Mitrush Kuteli. Ai ka botuar një monografi të plotë për veprën letrare të Kutelit, ku trajton prozën e tij të gjatë, rrëfenjat e tij karakteristike si dhe poezinë dhe shkrimet kritike. Sipas Gashit, aty do të gjejmë të analizuar, të interpretuar e të sintetizuar përcaktuesit themelorë të veprës së Kutelit: bazamentin, që është letërsia popullore; rrafshin tipologjizues, që prozën e tij e vendos në kategorinë e prozës së ngjarjeve e herë-herë të prozës së karaktereve; temat, siç janë kurbeti, gjakmarrja, kaçakëria, ëndrra, vdekja.

“Duhet të konstatojmë pa hezitim se gjuha analitike e Bashotës është krejtësisht e veçantë. Bota e preokupimeve të tij kritike është shumë e gjerë e komplekse. Sali Bashota është në radhë të parë lexues i pasionuar i letërsisë dhe pastaj gjurmues i suksesshëm vlerash e domethëniesh letrare”, përfundon ai.

Krejt në fund, poeti dhe profesori Sali Bashota ka falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, si dhe ka treguar angazhimin e tij letrar përgjatë viteve.

“Moshën e letërsisë e përbëjnë autorët dhe veprat e tyre, prandaj jeta dhe shkrimi për secilin autor i ka shenjat e përveçme që ndërlidhen me një fakt të përbashkët: dëshirën dhe vullnetin për punë dhe aftësinë për të shkruar. Për më tepër, regullat e letërsise, në radhë të parë, varen nga vetë autori. Prandaj, letërsia e autorit është vetëdije shkrimore përbrenda veprimtarisë krijuese, por edhe përbrenda punës intelektuale”, thotë ai.

Mbi dyzet vjet, ai ka bërë përpjekje të vazhdueshme që me veprat e tij ta ndërtojë një karrierë letrare, ndërsa me angazhimin tij në fushën e arsimit të jap kontribut në edukimin e gjeneratave. Besimi dhe bindjet e tij gjithmonë kanë qenë te letërsia, te fryma dhe qëllimi i saj, edhe kur ka shkruar veprat e tij, edhe kur ka shpjeguar veprat e shkrimtarëve të letërsisë romantike shqipe. Ai, dyzet vitet në Fakultetin e Filologjisë në rolin e mësimdhënësit, sidomos ligjëratat dhe bashkëpunimi me studentë, i konsideron si periudhat më të veçanta në jetë.

“Kam mësuar shumë nga shkrimtarë të mëdhenj shqiptarë dhe shkrimtarë botërorë, nga veprat dhe përvoja e tyre krijuese. Ky mësim është shndërruar në frymëzim. Për ta sistemuar dhe funksionalizuar tërësinë harmonike të fjalës, mendimit, figurës, mbi të gjitha, më ka pushtuar magjia e poezisë nga vëllimi i parë më 1986 deri te i fundit më 2023. Poezia, proza poetike dhe studimet letrare vazhdojnë të mbesin preokupimi im krijues. Poezia, është dhe do të mbetet githmonë e para”, përfundon Bashota. / KultPlus.com

Të ngjajshme