9 Qershor, 2024 - 1:30 pm
Korça ka çelur sezonin turistik me Festivalin Ndërkombëtar të Karnavaleve me rreth 400 pjesëmarrës.
E trashëguar ndër shekuj, festa e karnavaleve e shndërroi qytetin e Korçës në një paradë kostumesh dhe maskash të ndryshme dhe plot ngjyra ku kanë marrë pjesë 6 grupe nga vende të huaja.
Grupet e ndryshme pushtuan bulevardin e Korçës, duke parakaluar me madhështi në një paradë ku çdo pjesëmarrje shoqërohej me nga një fabul.
Personazhet e përrallave, ata mitik dhe të jetës reale sollën përmes paradave shumëngjyrëshe atmosferë fantastike që tërhoqi vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj.
Kreu i Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo është shprehur se “festa e maskave dhe kostumeve shumëngjyrëshe solli atmosferën më të bukur e magjike në sheshet e rrugicat e qytetit juglindor dhe u shijua nga shumë turistë vendas e të huaj që mbushën Korçën këtë fundjavë”.
Kësaj feste i janë bashkuar edhe shqiptarët jashtë kufijve ndërsa pjesëmarrja e fëmijëve me kostumet dhe maskat e përzgjedhura nga ata e zbukuruan akoma më shumë këtë festë ndërkombëtare.
Drejtoresha e Qendrës së Artit dhe Kulturës në Korçë, Zamira Kita tha se në këtë paradë morën pjesë 28 grupe ndërsa shumë qytetarë iu bashkuan paradës së karnavaleve të veshur me kostume.
“Ne i zgjedhim përmes kostumeve, mesazhet që duan të përcjellin. Më e veçanta ka qenë Bullgaria, ka sjellë folklorin. Kishim 4 grupe me fëmijë”, është shprehur Kita. /atsh/ KultPlus.com