14 Qershor, 2024 - 1:56 pm
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ndau imazhe nga misionet kërkimore në Shkodër, Lezhë, Bushat, Sardë dhe Koman, me rastin e Ditëve Evropiane të Arkeologjisë, të cilat kremtohen më 14, 15 dhe 16 qershor.
DRTK Shkodër inkurajoi operatorët e gërmimeve arkeologjike, organizatat kërkimore, universitetet, muzetë dhe vendet arkeologjike, laboratorët, shoqatat, arkivat dhe autoritetet lokale, të organizojnë aktivitete novatore, origjinale dhe ndërvepruese për publikun e gjerë.
Që prej vitit 2010, Ministria Franceze e Kulturës i ka besuar Institutit Kombëtar për Kërkime Arkeologjike Parandaluese (INRAP) bashkërendimin dhe promovimin e Ditëve Kombëtare të Arkeologjisë të Francës (JNA). 10 vjet më vonë, në 2020, Ditët Kombëtare të Arkeologjisë së Francës u kthyen në Ditët Evropiane të Arkeologjisë (EAD).
Prej tre vitesh Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit është pjesë e celebrimit të Ditëve të Arkeologjisë, ku së bashku me institucione partnere janë të angazhuar për të njohur publikun me thesaret e trashëgimisë kombëtare dhe sekretet e profesionit.
DRTK Shkodër shprehu permes publikimit online, mirënjohjen për të gjithë partnerët shqiptarë dhe të huaj për punën e palodhur, plot pasion për të çuar përpara projekte kërkimore në bashkërendim me institucione kërkimore europiane, të cilat prej vitesh janë instaluar në arealin e veriut të vendit, duke sjell vit pas viti të dhëna të reja mbi shtresëzimet kulturore, urbanizimin dhe stadin social të popullsive në këtë territor./atsh/KultPlus.com