17 Qershor, 2024 - 4:39 pm
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka vizituar shtëpinë muze të filozofit dhe aktivistit të çështjes kombëtare Ukshin Hotit, në Krushë të Madhe, nga ku ka thënë se nuk do të reshtet kurrë së kërkuari drejtësi.
Kryeministri Kurti më tutje ka thënë se ribotimi i veprës së plotë të Ukshin Hotit, për të cilën është themeluar dhe një grup redaktues i posaçëm me vendim të Qeverisë, është më e pakta që mund të bëhet për ta mbajtur përherë të gjallë kujtesën për Ukshin Hotin.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të Kryeministrit Kurti në facebook:
Sot mendimtari politik, filozofi dhe aktivisti i çështjes kombëtare Ukshin Hoti, do t’i mbushte 81 vjet. Në nderim të ditëlindjes së Bacës Ukë, vizitova Shtëpinë Muze në Krushë të Madhe, si vend i lavdisë historike shqiptare, i mendimit të thellë politik dhe i një jete të jetuar denjësisht. Këtu kthehemi çdo vit, në ditëlindje e ndërmjet ditëlindjeve, për ta rikujtuar jetën e tij teksa rilexojmë veprën e tij, e cila është përherë aktuale.
Ribotimi i veprës së plotë të Ukshin Hotit, teksteve, e dokumenteve të pabotuara deri më tani për të cilën është themeluar dhe një grup redaktues i posaçëm me vendim të Qeverisë, është më e pakta që mund të bëjmë, për ta mbajtur përherë të gjallë kujtesën për Ukshin Hotin dhe lexuar rreshtat e mendimit të mprehtë politik të tij.
Sepse Ukshin Hoti ka bërë aq shumë për Republikën në kuptimin teorik edhe në aspektin praktik, për arritjen e Kosovës së lirë dhe të pavarur. Nuk do të reshtim kurrë së kërkuari drejtësi për Ukshin Hotin, i cili u zhduk menjëherë pas lirimit nga burgu, nga aparati shtetëror serb./ KultPlus.com