17 Qershor, 2024 - 10:32 pm
Një prej shkrimtarëve më të shquar gjermanë të shekullit të njëzetë, Herman Hesse u lind më 2 korrik 1877, në një qytet pranë Shtutgartit dhe vdiq më 9 gusht 1962 në Lugano të Zvicrës. Përveç shkrimeve në prozë, ai shquhet si poet me më shumë se 680 poezi, të përmbledhura këto në 12 vëllime. Se një ditë do të bëhej shkrimtar, ai e kishte të qartë, por tjetër gjë shihnin prindërit tek ai. Sipas tyre, duhej të bëhej klerik, si ata vetë: i ati punonte, që para se të lindte ai, si misionar në Indi, ndërsa e ëma ishte bijë e një misionari. Në këto kushte, poeti u rrit në një familje me tradita të forta fetare. Në vitin 1891, prindërit e dërguan në seminarin protestant “Maulbronn”. U largua vetëm pas disa muajsh, pasi nuk mund ta duronte edukimin kristian.
Brenda vetes, ai ishte i vendosur: “Ose do të bëhej poet, ose asgjë!” Por, rruga nëpër procesin krijues, për të qe një odise e vërtetë. Hesse ndërroi disa shkolla dhe nuk mundi të përshtatej, ndaj në një fazë depresive, kur ishte vetëm pesëmbëdhjetë vjeç, u përpoq të vriste veten. Më vonë, ai punoi në një punishte ku prodhoheshin makineri, në një fabrikë që prodhonte sahate për kulla, si dhe në librari.
Kërkimi i identitetit të tij, procesi i vështirë për të realizuar veten, ishin temat që Hesse do të trajtonte më vonë në romanet e tij. Tregimet e tij përshkoheshin nga përjetime nga jeta, nga analiza të vetvetes dhe rrëfime poetike. Biografi i Hesse-s, Gunnar Decker, e shpjegon kështu interesin mbarë-botëror për këtë letërsi: “Çështja e autonomisë dhe e religjiozitetit, një kuptim për fenë, që nuk është militant, misionar, por i hapur për koncepte të tjera të jetës. Kjo është një çështje shumë akute në botën arabe. ”
Librat e tij me romane, poezi, shkrime kritike, politike, kulturore dhe letrare, mesatarisht arrijnë në 80 milionë ekzemplarë në të gjithë botën, duke e bërë kështu, një nga shkrimtarët evropianë më të lexuar të shekullit të njëzetë. Më 1921, Hesse u bë qytetar zviceran, ndërsa më 1946 iu akordua çmimi “Nobel” në letërsi. /Hejza/ KultPlus.com