22 Qershor, 2024 - 11:08 pm
Cornelis Johannes Jacobus Maria Nooteboom, ose Cees Nooteboom (1933), poet, prozator, dramaturg, kronist udhëtimesh holandez.
UNGARETTI
Nga Cees Nooteboom
Mbahem pnrë kësaj peme të gjymtuar
E gjeta poezinë tënde,
botim dygjuhësh, në Mercat de Sant’Antoni
në Barcelonë, italisht-katalanisht.
Tash jam këtu me tre fjalorë
që ta përkthejë ‘I fiumi’, ‘De rivieren’,
shkruar në Cotici, më 16 gusht 1916,
lufta e harruar që s’e harrove kurrë.
Monumente, bajoneta, fytyra heroike,
gra në zi të gjitha janë bërë patetike,
Somme, Sedan, Isonzo,
gjithçka për atdheun,
dhimbja e zhdukur me të mbijetuarit.
Veç ti ke mbtur.
Nuk lëviz si në filmat e vjetër
me atë trokthin tënd të përunjur, jo,
i avitesh ngadalë lumit
ushtari i ri
dhe shtrihesh në ujë
në një urnë uji,
dhe prehesh.
L’Insonzo scorrendo Isonzo duke rrjedhur
mi levigava më lëmonte
come un suo sasso si një gur i tij
Uji i lumit
të rrjedh përreth,
të miklon dhe të mbrun,
të lëmon si një gur zalli.
Mandej ngrihesh
dhe del nga kuadri
duke ecur mbi ujë
dhe galiçesh si beduin
para inkuadrimit të ardhshëm
pranë uniformës tënde të pisët,
dhe e sheh, thua ti vetë, atë që je,
një fibër e butë e universit.
Një njeri cullak vetëm pranë ujit që rrjedh
shpejt, Apollinaire, Owen, Graves, Ungaretti,
poezia nuk flet kurrë për një luftë të vetme
por gjithmonë
për.
Shënim:
Poezia e sjellë këtu është marrë nga cikël poezish nën titullin Ontmoetingen – Takimet, ku gjejmë poezi për poetë, filozofë e personalitete të tjera të paharrueshme. Ndërkohë që brenda vetë poezisë, më saktësisht në përmbyllje të saj, ia bashkëngjet poetit bashkudhëtarët e një argumenti të përjetshëm poetik, aq të dhimbshëm dhe aq përçarës: luftës. Për të thënë edhe me ta, por jo pse ndonjëherë do të na shkonte mendja ta konsideronim të pamjaftueshme vetëm poezinë e Ungarettit, se poezia e luftës, në cilëndo kohë që të shkruhet, për cilëndo luftë të veçantë të harruar a të paharruar që të shkruhet, nga cilido autor që të shkruhet, «nuk flet kurrë për një luftë të vetme/ por gjithmonë/ për» – flet për luftën, pra për Luftën.
/Marrë nga Cees Nooteboom,”Luce ovunque”, Einaudi, 2016 /Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com