Kryeministri Kurti viziton akademik Qosjen për 88- të vjetorin e lindjes: Puna e tij prej vigani e ka pasuruar trashëgiminë kulturore të vendit

25 Qershor, 2024 - 10:13 pm

Kryeministri i vendit, Albin Kurti,ka vizituar akademikun Rexhep Qosja me rastin e 88 vjetorit të lindjes, shkruan KultPlus.

Kryeministri Kurti me këtë rast ka thënë se puna e tij si shkrimtari i parë postmodern shqiptar dhe si kritik letrar i shquar, e ka pasuruar trashëgiminë kulturore të vendit.

Më poshtë gjeni shkrimin e plotë të kryeministrit Kurti në facebook:

Rexhep Qosja, 88 vjet të plota të jetuara e të shkrira në qenien prej vigani në fjalë e në pendë.

Sot pata nderin të vizitoj shtëpinë e autorit të shquar për ta uruar personalisht për ditëlindjen e tij të 88-të.

Kontributi i tij në letërsinë dhe kulturën shqiptare janë të pashoqe, duke e bërë atë një figurë të dashur në Kosovë dhe më gjerë. Nga fillimet e tij të hershme në Vuthaj deri te rolet e tij të rëndësishme në edukim dhe letërsi, udhëtimi i tij ka qenë një burim frymëzimi. Si shkrimtari i parë postmodern shqiptar dhe një kritik letrar i shquar, puna e tij ka pasuruar trashëgiminë tonë kulturore.

Jemi thellësisht mirënjohës për përkushtimin e tij të pandërprerë dhe i urojmë shëndet të mirë dhe jetë të gjatë!/ KultPlus.com

Të ngjajshme