28 Qershor, 2024 - 6:50 pm
Poezi e shkruar nga Naim Frashëri.
Pa dëgjo fyellin ç’thotë
Tregon mërgimet e shkreta,
Qahet nga e zeza botë
Me fjalë të vërteta.
Që kur se më kanë ndarë
Nga shok’ e nga miqësija,
Gra e burra kanë qarë
Nga ngashërimet e mija!
Krahërore e kam çpuar
E kam bëre vrima vrima,
Dhe kam qar’ e kam rënkuar
Me mijëra psherëtima!
Dhe me botën e gëzuar
Bëhem shok edhe marr pjesë,
Dhe me njerës të helmuar
Bënem mik me besa-besë.
Puna si do që të bjerë
Unë qanj me mallëngjime,
Më çdo vënt e kur-do-herë
Psherëtin zëmëra ime!
Gjithë bota më dëgjojnë
Po së jashtëmi më shohin,
Dëshirën s’m’a kupëtojnë
Zjar’ e brendëshmë s’m’a njohim.
Njerëzit me mua rrinë,
Unë qanj’ e mallëngjehem,
Po dufn’ e pshehtë s’m’a dinë
Andaj kurrë s’përdëllehem.
Gjith’ ata që janë ndarë
Fyellit shokë ju bënë,
Shkallët’ e tij disa farë,
Na shkalluan mëndjen tënë.
Rrëmet i njerëzisë!
Zër’ i fyellit s’ësht’ erë,
Ky ësht’ zjarr’ i dashurisë
Që i ra kallamit mjerë!
I ra qiellit e ndriti,
I ra zëmrësë e nxehu,
I ra verës e buçiti,
I ra shpirtit, dhe e dehu.
I dha erë trëndafilit
I dha dritë bukurisë,
I dha këngëtë bilbilit,
I dha shije gjithësisë.
Ay zjar i ra në qiej,
Edhe duke përvëluar,
U bënë kaq yj e diej,
Që i mba Zoti ndër duar,
Nga ky zjar Zot’ i vërtetë,
Që ka ngehur gjithësinë,
Hoth një shkëndijë në jetë,
Dhe bëri soje njerinë.
More zjar i bekuar!
Unë me ty jam përzjerë,
Pa jam tretur e kulluar,
Po të kam shpirt, mos më lerë. / KultPlus.com