1 Korrik, 2024 - 12:05 pm
Shkrimtari Ag Apolloni ka shkruar pas vdekjes së shkrimtarit Ismail Kadare, se ishte fat i mirë që letërsia e botës nga vitet ‘70 i hapi dyert për shkrimtarin Ismail Kadare.
Ai tha se ky ishte fat i madh që ky shkrimtar botëror rastisi të jetë shqiptar.
“Ishte fat për mua ta lexoja, ta studioja dhe, sigurisht, ta takoja herë pas here. Dhe ishte kënaqësi të bëja një monografi për të, dy intervista me të dhe shkrime të herëpashershme për veprat e tij. Pa Ismail Kadarenë, letërsia shqipe ende do të ishte brenda vezës; nuk do të njihej jashtë”, ka shkruar Apolloni.
Tutje, ai shkroi se romani i tij i parë i botuar, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963), kur u botua në Francë, më 1970, u vlerësua si roman i nivelit botëror. Që nga ajo ditë, shkrimtari ynë ka ndenjur në ato maja.
“Për ne si komb, ishte vërtet fat që ky shkrimtar ishte shqiptar. Kurse, për ne shkrimtarët, ishte krenari e veçantë që shqiptari më i madh ishte shkrimtar”, shkroi në fund ai./KultPlus.com