Kryeministri Albin Kurti: Nata e parë pa Kadarenë

2 Korrik, 2024 - 1:03 pm

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në rrjete sociale ka shkruar përsëri për vdekjen e shkrimtarit Ismail Kadare, një ditë pasi ai u nda nga jeta.

“Nata e parë pa Kadarenë kaloi mbrëmë. Më herët e dinim që është atje diku me bibliotekën e tij, dhe, këtu te secila bibliotekë familjare nëpër shtëpitë tona. Do të lexohet edhe më shumë tash ai: që të na mungojë më pak neve që e duam, që të gjejmë më shumë veten që na duhet”, ka shkruar Kurti.

Tutje, ai u shpreh se Kadare nuk na la në paqen e një shoqërie të përgjumur, por na hodhi në intrigën e tij.

“Kadare nuk na la në paqen e një shoqërie të përgjumur, por na hodhi në intrigën e tij. Aty janë dhe do të jenë ende personazhet dhe situatat, gjenerali i të vdekurve dhe kako Pino, koncerti i fundit dhe pallati i dimrit të përhershëm, Broadway i zhvendosur në Tiranë dhe hija e kineastit shqiptar në Paris, Eskili i degdisur dhe faraoni i tejvarrosur, trupi i Lul Mazrekut dhe përkthyesi i katërt, valltari i vargjeve të popullit apo autoriteti i nëndheshëm i Lasgushit… Të gjithë do të jenë aty nën paradigmën e uraganit të pandërprerë të letërsisë”, u shpreh kryeministri Kurti.

Duke vazhduar përshkrimin për të madhin Kadare, Kurti vazhdoi se shkrimtari i madh ka aftësinë të ndërtojë mision, dhe se ky mision është vetëm stil, alegori, porosi, kolektiv kuptimi, dyshim kolektiv.

“Si një mesazh i habitshëm mund të përmendet edhe fakti që vetëm së shpejti do të shfaqet në Francë biseda e tij e pothuaj tri dekadave më herët me të munguarin e madh Ukshin Hoti”, tha ai.

Sipas Kurtit, kushdo që e ka lexuar Kadarenë, e di etjen e tij të pashuar për të munguarit e mëdhenj, sepse Kadareja e dëshironte hetimin e çështjes.

“I munguar i madh, nga dje, u bë edhe vetë Kadareja”, e përfundoi shkrimin Kurti./KultPlus.com

Të ngjajshme