14 Maj, 2018 - 3:00 pm
Një nga vendet më piktoreske në jugun e Shqipërisë është të udhëtosh në rrugën Ersekë-Leskovik.
Rruga është e vjetër që në kohë të Italisë, por peizazhi është mahnitës. Gjelbërimi i harlisur të shoqëron gjatë gjithë kohës dhe syri të çlodhet nga panoramat e një pas njëshme që të shfaqen gjatë udhëtimit. Shumë të apasionuar pas natyrës e bëjnë këtë rrugë me biçikleta dhe mjete të tjera motorrike.
Janë disa fshatra që të shfaqen njëri pas tjetrit që nga Borova, Barmashshi, Ferma Sotira e ajo që ia vlen të vizitohet është Germenj dhe Sheleguri, një vend i vogël e shumë i bukur e plotë gjelbërim.
Zona quhet rezervati natyror Gërmenj-Shelegur, një destinacion i natyrës shqiptare që ofron bukuri të pafundme, në çdo stinë të vitit. Është një zonë ndërkufitare me Greqinë në jugperëndim të Ersekës ku harmonizohen malet me luginat e thella, ligatinat, përrenjtë e rrëmbyer e sidomos pyje të dendur të përzier bredhi e lisi, por ku dominon pisha e zezë.
Vende ideale për të zbuluar natyrën me shëtitje të gjata, piknikë e ngjitje në mal e sidomos për aventurierët e natyrës.
Siç na bëjnë të ditur specialistët e AdZM Korçë, vizitorët dhe turistët janë të pranishëm çdo fundjavë dhe tani me ngrohjen e motit, vazhdojnë dhe disa ditë me kampera e kampingje.
Kjo administratë ka filluar të çeli shtigje për këmbësorët visitor dhe të ofrojë shërbime në guidat turistike. Zona ofron shumë mundësi për udhëtime në këmbë ose mjete të motorrizuara me një rrugë të përshtatshme që të çon në fshatin e Gërmenjit dhe një rrugë tjetër e vjetër që përdorej dikur si rrugë e karvanëve midis Janinës në Greqi dhe Korçës.
Itinerari për të kapur këtë vend është i thjeshtë. Mund të ndiqni rrugën nacionale Korçë-Ersekë- Leskovik. Tabelat ju orientojnë për destinacionin, ndodhet midis fshatit Radanjë dhe fshatit Gërmenj, 25 km para se të mbërrini në Leskovik.
I gjithë udhëtimi është një zinxhir fshatrash të bukur që fillojnë sapo le pas Korçën. Aty fillon dhe natyra e bukur nëpër Boboshticë, do të shihni në sfond Drenovën, do të kaloni nëpër Selenicë, përmes Ersekës, Borovës, Barmashit, derisa të keni mbërritur në destinacion. Kjo bukuri vazhdon edhe nëse e shtyni itinerarin tuaj drejt Leskovikut, duke kaluar më andej, nëpër Çarshovë e drejt Përmetit.
Një nga bukuritë natyrore më tërheqëse është dhe liqeni i Shelegurit. Ndodhet pak kilometra pasi keni kaluar Sotirën. Është një panoramë e mrekullueshme, ku përtej ujit në sfond dallohen edhe kreshtat e vargmaleve të Nemërçkës.
Rrënojat e kështjellës së Radanjit, në jug të pyllit të Gërmenjit, rreth 1 km udhëtim më këmbë nga rruga kryesore, ofrojnë pamje të rrënojave të vjetra Ilire, të cilat kanë një rëndësi të madhe historike.
Pyje pa fund dhe liqene të kaltër si ai i Gramozit që ndodhet në majë të malit, një rrugë e vështirë por sfiduese për adhuruesit e sporteve ekstreme dhe aventurës.
Është dhe një ujëvarë që quhet Ujëvara e Leskovikut dhe ndodhet buzë rrugës nacionale Ersekë-Leskovik, e fshehur mes kanioneve të thella që të shoqëron përgjatë kësaj rruge.
Ky udhëtim bëhet kryesisht në këtë stinë e gjatë verës dhe vërtet është një udhëtim i bukur. /a.g/