Akademia e Shkencave, konferencë shkencore për 200-vjetorin e vdekjes së Bajronit

8 Korrik, 2024 - 12:45 pm

Akademia e Shkencave të Shqipërisë zhvilloi sot konferencën shkencore “Bajroni dhe bajronizmi në botën shqiptare”. Kjo konferencë iu kushtua 200-vjetorit të vdekjes së poetit anglez G. G. Bajron, paraprirësit të romantizmit europian, që, me veprën e tij, zgjoi interesin kulturor të kontinentit të vjetër për popujt e vjetër të Ballkanit, shqiptarët e grekët para së gjithash, dhe trashëgiminë e tyre të kryehershme.

Në fjalën e tij të hapjes, sekretari shkencor Shaban Sinani tha se, ardhja e romantizmit europian në botën shqiptare pas disa shekujve harrimi në fatin e saj të braktisur, në përbërje të supershtetit otoman, ishte një faktor rizgjimi.

“Shqiptarët, grekët, spanjollët, popujt e lashtë të Mesdheut që ai njohu, iu paraqitën Perëndimit si lavdi e historisë, model i virtytit dhe shkëlqim i trashëgimisë. Përmes veprës së Bajronit Europa ritakoi e rinjohu gjuhën shqipe, identitetin e shqiptarëve, folklorin dhe veshjet e tyre, virtytet dhe cenet, rendin shoqëror e jetesën tradicionale, që ajo vetë i kishte humbur prej zhvillimit industrial”, u shpreh Sinani.

Në konferencë përshëndeti edhe akademik Mehmet Kraja, kryetar i ASHAK -ut, bashkorganizuese e konferencës shkencore ndërkombëtare. Kreu i Akademisë së Shkencave e Arteve në Kosovë u shpreh se, ky përvjetor është një homazh për këtë figurë të jashtëzakonshme të letërsisë botërore dhe po ashtu homazh për përkthyesin Skënder Luarasin, të cilit i takon merita kryesore që Bajronit i dha një vend kaq të rëndësishëm në letërsinë shqipe, si të ishte pjesë e saj.

Në konferencë ishin të pranishëm përmes kumtesave edhe akademikë arbëreshë si Altimari e Mandala./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme