16 vite në UNESCO, Gonxhja: Berati në vëmendjen e vizitorëve nga mbarë bota

8 Korrik, 2024 - 10:28 pm

Qyteti i një mbi mbi një dritareve numëron 16 vite në UNESCO, si pjesë e listës së trashëgimisë kulturore që prej korrikut të 2008.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha sot se “arkitektura e rrallë afro 2500-vjeçare e qytetit të Beratit, historia që mbart, vlerat e tij të jashtëzakonshme kulturore dhe historike, tashmë prej shumë kohësh kanë qenë në vëmendjen e shumë vizitorëve nga mbarë bota”.

“Kalaja e Beratit, kishat dhe xhamitë e tij të vjetra, Muzeu Kombëtar Ikonografik Onufri, përveçse disa nga atraksionet e qytetit, janë edhe një dëshmi e rrallë e bashkëjetesës harmonike të kulturave dhe traditave të ndryshme që në hershmëri”, tha Gonxhja.

Në 8 korrik të vitit 2008 Berati u regjistrua në Listën e UNESCO-s nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore në Konferencën e radhës të mbajtur në Kanada.

Berati u vlerësua si një shembull i rrallë i arkitekturës tipike osmane.

Berati, sipas UNESCO-s është dëshmitar i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore përgjatë shekujve.

Në kriterin 3 të arsyes së nënshkrimit të Beratit në UNESCO shprehimisht thuhet se Berati dhe Gjirokastra janë një dëshmi e shquar e diversitetit të shoqërive urbane në Ballkan dhe të jetëgjatësisë së mënyrave të jetës, të cilat sot pothuajse janë zhdukur.  Kriteri 4 thotë se dy qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës janë dëshmi e jashtëzakonshme për llojet e ndryshme të monumenteve dhe banesave popullore urbane gjatë periudhës klasike osmane, në vazhdimësi me kulturat mesjetare që e paraprinë atë.

Sot Berati trashëgon 210 objekte muzeale, nga të cilat 150 janë objekte në këmbë. Prej tyre 60 janë monumente të kategorisë së parë dhe të tjerat të kategorisë së dytë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme