“Fjalori i madh i gjuhës shqipe”, në mbyllje procesi hartues dhe redaktimi në grupe

19 Korrik, 2024 - 7:20 pm

Në kuadrin e Projektit “Fjalor i madh i gjuhës shqipe”, drejtuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Institutin Albanologjik të Prishtinës, u mbajt takimi i radhës për hartimin e veprës.

Takimi kishte karakter konsultativ në drejtim të përfundimit të punës hartuese në Fjalor.

Grupi diskutoi gjerësisht dhe me përgjegjësi për punën në fazën e tanishme, kur po mbyllet procesi hartues dhe redaktimi brenda grupit, dhe kur po merr përparësi sistematizimi i lëndës së hartuar dhe unifikimi i paraqitjes leksikografike. Gjithashtu, u dha porosia se vepra nuk quhet e mbyllur, por secili hartues duhet të pasurojë shkronjën / shkronjat e veta me fjalë, kuptime e thënie ilustruese në vazhdimësi.

Grupi i punës nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë (Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë) përbëhej nga Valter Memisha (Sekretar shkencor i Fjalorit dhe hartues), Anila Kananaj (hartuese dhe koordinatore), Engjëllushe Karaj (hartuese).

Ndërkaq, nga Instituti Albanologjik i Prishtinës morën pjesë studiuesit, Shefkije Islamaj (hartuese dhe anëtare e redaksisë së Fjalorit), Abdurrahim Maxhuni (Shef i Degës së Gjuhësisë dhe hartues), Naim Berisha (hartues) dhe Sejdi M. Gashi (hartues)./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme