Kisha e Marmiroit në Orikum, një destinacion për t’u vizituar gjatë sezonit veror

22 Korrik, 2024 - 2:52 pm

Kisha e Marmiroit, në Orikum është një objekt fetar i shpallur Monument Kulture.

Çdokush që viziton Vlorën, Orikumin e zonën përreth, ia vlen të ndalet edhe tek ky objekt i trashëgimisë kulturore.

Vizita në këtë kishë të veçantë, përmbledh elementet e detit, maleve dhe qetësisë përreth.

Kisha është e ndërtuar me gurë të papunuar të marrë nga shtrati i përroit aty pranë. Për portat dhe fasadat janë përdorur gurë të punuar të cilët janë marrë nga rrënojat e Orikut antik. Nuk ka dyshim që kisha është ndërtuar gjatë periudhës bizantine diku rreth shekullit të XII.

Kisha është e tipit kryq i lirë me kupolë. Pjesë të tjera të saj janë edhe narteksi dhe tamburi cilindrik. Ndoshta kjo kapelë ka shërbyer si model për ndërtimin e kishës së Manastirit të Shën Mërisë së Zvërnecit. Ajo përbëhet nga 3 hyrje, të cilat i korrespondojnë drejtimeve të veriut, jugut dhe perëndimit. Në anën lindore ndodhet absida e kishës, e cila ndriçohet nga një dritare e vogël.

Mendohet se ky objekt i përkiste dikur një manastiri të vogël, pasi karakteristike e kishave në formë kryqi me kupolë është se ato ndeshen vetëm në manastire. Ndërsa nga mbikqyrja e vendit vihet re se muret e narteksit dhe disa të tjera rreth kishës janë në gjendje të rrënuar. Nga to ruhen deri më sot mbeturinat e një oxhaku, një dritareje dhe disa kamare të cilat menjëherë të krijojnë idenë se ato i përkisnin dikur konakëve të një manastiri./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme