30 Korrik, 2024 - 1:30 am
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, porti i Porto Romanos i jep Shqipërisë një fuqi të re në rajon.
Në fjalën e tij në hapjen e garës për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, Rama u shpreh se, “një port impakton deri në 3% Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar të vendit. Ky që kemi atje në mes të Durrësit që është dhe një turp i madh kombëtar dhe që më në fund do të fshihet që andej e ka impaktin qesharak. Ky i këtushmi do të jetë, jo vetëm një port që do të impaktojë Prodhimin e Përgjithshëm Kombëtar, por do të jetë një port që do të impaktojë sigurinë tonë, sepse siç e ka paraparë grupi i projektimin dhe siç na ka udhëhequr Eriku në këtë proces, do të ketë edhe krahun e vetë ushtarak, duke i ofruar NATO-s një bazë të re ushtarake, jo thjesht të re në kuptimin një tjetër bazë në Mesdhe në numër, por një bazë të re ushtarake me parametra optimalë.
“E tha pak edhe Eriku që ky port që ndërtohet nga e para, është një port i ri në Evropë pas shumë e shumë dekadash, sepse Evropa i ka ndërtuar shumë kohë më parë dhe në vazhdimësi ka bërë zgjerime, adoptime, por për 1001 arsye nuk ka ndërtuar porte të reja. Dhe për këtë arsye ne kemi fatin që duke qenë në fund të kësaj kolone të gjatë të marrim edhe përfitimin e një dije që është krijuar në vite dhe njëkohësisht në aspektin mjedisor dhe në aspektin e gjelbër të kemi një port që do të jetë një shembull ekselence”, tha Rama.
Kryeministri foli edhe për rëndësinë e madhe strategjike të këtij porti për Shqipërinë e 2030-ës dhe më tutje, sepse, theksoi kreu i qeverisë, “ky port i jep Shqipërisë një fuqi të re në rajon. Ky port e bën Shqipërinë një pikë kyçe strategjike për tregtinë dhe për sigurinë e gjithë rajonit. Ky port që do të lidhë në vijim tregtinë dhe me pjesën tjetër të rajonit dhe më gjerë përmes hekurudha që do të ndërtojmë dhe përmes dy porteve të thata që do të ndërtohen në Prishtinë dhe në Strugë, praktikisht do të orientojë shumë flukse tregtare dhe shkëmbimesh që deri më sot janë jashtë rrezes sonë të influencës”./atsh/KultPlus.com