Ansambli Popullor përfaqëson vlerat folklorike shqiptare në Varna të Bullgarisë

1 Gusht, 2024 - 1:55 pm

Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor ndau në rrjetet sociale një video nga pjesëmarrja e fundit e trupës së Ansamblit Popullor në Festivalin e 32-të Ndërkombëtar të Folklorit në Varna, Bullgari.

Ansambli Popullor, Nderi i Kombit Shqiptar, po përfaqëson denjësisht Shqipërinë në një festival gjigant, i cili mbledh së bashku kulturat e dhjetëra shteteve në disa netë spektakli dhe performancash unike. Sot ishte nata përmbyllëse e festivalit, ku AP performoi dhe “Vallen e shqipeve”, duke i treguar botës, vlerat tona folklorike.

“Angazhimi në evente të tilla ndërkombëtare shërben si trumpetim i traditës dhe kulturës shqiptare nëpër botë”, shkroi TKOBAP në rrjetet sociale.

Pjesëmarrësit e huaj të këtij viti janë nga Ukraina, Sllovakia, Mali i Zi, Hungaria, Gjeorgjia, Shqipëria, etj. Bullgaria në këtë festival përfaqësohet nga Ansambli Folklorik i Varnës dhe Ansambli i Këngëve dhe Valleve Popullore “Odessos”. Koncerti gala përmbyllës, i titulluar “Let’s Stay Friends”, do të bashkojë të gjithë pjesëmarrësit së bashku me ansamblin folklorik “Odessos”./atsh/KultPlus.com

Të ngjajshme