Ermonela Jaho sonte në TKOB, mbrëmje për të mos u humbur

4 Gusht, 2024 - 8:30 pm

Sopranoja e njohur Ermonela Jaho rikthehet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit ku së bashku me tenorin amerikan Charles Castronovo performojnë sonte në koncertin “Rikthimi i dallëndyshes”.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, në një publikim në rrjetet sociale, shkruan: “Krenaria jonë në çdo skenë ndërkombëtare lirike, Ermonela Jaho, pasi ka “shtegtuar” në mbarë botën, rikthehet aty ku nisi gjithçka: në Shqipëri”.

Koncerti që do të mbahet sonte sjell në skenë sopranon shqiptare me famë ndërkombëtare, si dhe tenorin amerikan Charles Castronovo në një mbrëmje për të mos u humbur.

Ky koncert është një bashkëprodhim i TKOB dhe Prepost Albania me mbështetjen e institucioneve të rëndësishme në vend dhe partnerëve nga biznesi.

Ermonela Jaho ka lindur në Tiranë. Pas diplomimit nga Liceu Artistik “Jordan Misja” në Tiranë në 1992, ajo studion në Akademinë e Arteve po në Tiranë. Fiton një konkurs të organizuar nga sopranoja italiane Katia Ricciarelli në Shqipëri, dhe vendoset në Itali ku fillon të studiojë në akademinë e Mantovës.

Më pas, ajo ndjek studime muzikore ne Akademinë Kombëtare Santa Cecilia, në Romë. Ajo u largua në vitin 1993 nga Shqipëria për në Itali me një bursë studimi, dhe më pas iu desh ta realizojë ëndrrën e ngjitjes në skenë, përkrah artistëve të huaj. Ermonela Jaho fitoi shpejt sukses nëpër botë, me vlerësime të shumta edhe nga kritikët e huaj.

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është një ndër më të suksesshmet dhe më të njohura në botë, me një zë brilant. Me albumin e saj “Anima Rara” ajo ka marrë vlerësime. Albumi doli në treg në mbarë botën në formatin fizik dhe digjital, më 25 shtator të vitit 2020.

Ndërkohë që Ermonela fitoi edhe çmimin “Artistja e huaj më e mirë” për vitin 2023, për interpretimin e “Suor Angelica” në Barcelonë./ KultPlus.com

Të ngjajshme